S’kanë fund telashet për Arben Ahmetajn, SPAK hetim të ri ndaj tij
Dyshimet për 3 milionë euro të transferuara drejt Austrisë
Në një seancë të zhvilluar për dosjen “Buka”, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i akuzuar për shpërdorim detyre, është përballur me hetime të reja ndërkombëtare, ndërsa SPAK ka hapur një procedim të ri ndaj tij.
Prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, ka kërkuar të pyeten si dëshmitarë 14 persona, përfshirë edhe ish-ministrin Shkëlqim Cani. Gjatë seancës, prokurori bëri me dije se është identifikuar një shumë e konsiderueshme parash, 3 milionë euro, e cila është transferuar nga Shqipëria drejt Austrisë dhe po verifikohet aktualisht.
“Kemi rënë në kontakt me një shumë të madhe parash që janë transferuar nga Shqipëria në një vend të BE që po verifikohet,” deklaroi Gokaj.
Avokati i Ahmetajt, ndërkohë, u shpreh se procesi duhet të jetë transparent dhe pa surpriza.
“Prokurori po thotë se nëse del diçka, do të ngrihet akuzë. Nëse ka hetime të tjera për këtë çështje, nuk kishte ngutje për t’i mbyllur ato.
Procesi nuk mund të zhvillohet me akte surprize, nëse ekzistojnë prova të tjera, ato duhet të paraqiten në gjykatë,” tha avokati.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



