Skema mafioze e Lalëzit,“Shteti” i Rrumit,dhe resortet 100 mln €
Në Shqipëri, tokat nuk i mbron ligji, por i mbron krimi. Dhe në Lalëz, kjo gjë nuk është më thashethem, por fakt i zbardhur nga hetimet e SPAK.
Gazetarja Klodiana Lala, në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka hedhur dritë mbi një skemë të sofistikuar tjetërsimi pronash, ku falsifikimi i dokumenteve, “sekserët” nga veriu dhe zyrtarët e korruptuar të Kadastrës kanë funksionuar si një orkestër e përkryer në shërbim të oligarkëve dhe bosëve të bixhozit.
Skema nga fshatari tek bosët e lojërave të fatit
Dokumentet e pronësisë fshiheshin, krijoheshin të reja false dhe regjistroheshin në emra fshatarësh të painformuar. Pas disa lëvizjesh fiktive, këto prona “pastroheshin” dhe kalonin në emër të kompanive ndërtuese dhe biznesmenëve të fuqishëm. Tokat pyjore transformoheshin në tokë bujqësore për të legalizuar vilat dhe resortet luksoze që sot shiten me vlera që arrijnë deri në 110 milionë euro.
“Shteti i Rrumit” në Durrës
Emri që nuk mungon kurrë në këto skema është Aleksandër Laho, alias “Rrumi i Shijakut”. Sipas Lalës, në Durrës ishte ngritur një shtet paralel: “Shteti i Rrumit”, ku institucionet ishin vetëm fasadë, ndërsa realisht komandonte krimi.
Në këtë sistem, Kadastra, Hipoteka dhe zyrat shtetërore nuk ishin më shërbime publike, por zyra noteriale të mafies. Dhe çdo firmë mbi një dokument pronësie, ishte një thikë në shpinën e ligjit.
Hetimi përfshin disa nga zonat më të lakmuara turistike të Shqipërisë:
- Shetaj
- Lalëzi
- Kepi i Rodonit
Aty ku duhet të kishte zhvillim të qëndrueshëm, natyrë të mbrojtur dhe turizëm europian, sot mbijnë resorte private për pak njerëz dhe qindra milionë euro që qarkullojnë në errësirë.
Klodiana Lala paralajmëroi se ajo që është zbuluar deri tani është “vetëm skena e parë” e një afere shumë më të madhe, ku përfshihen jo vetëm “sekserë” dhe biznesmenë, por edhe figura të rëndësishme të administratës shtetërore.
Publik.al paralajmëron, nëse kjo është vetëm hyrja e filmit, atëherë aktet e tjera do të tregojnë pse në këtë vend “ligji” është vetëm një dekor, ndërsa pasuria publike është bërë plaçkë për pushtetarë, oligarkë dhe kriminelë të ricikluar si sipërmarrës turistikë.
Një pyetje që nuk pret përgjigje: Kush mbron qytetarin e thjeshtë kur shteti vetë është bërë noter i mafies?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



