Skema e re, e shpërblimit të televizioneve private me paratë tona, do të jetë e thjeshtë: maxhoranca do të tentojë të kalojë në Kuvend një ndryshim në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” që do të rrisë paratë që paguan çdo familje shqiptare, me qëllim shpërndarjen e tyre te privatët dhe jo RTSH-ja.
Kryeministri Edi Rama, i vendosur, ka menduar ta “kamuflojë” rritjen e konsiderueshme, prej 6 mijë lekësh të vjetra, në taksën për RTSH-në, që paguhet me faturën e energjisë elektrike.
Ditën e djeshme, kjo skemë është avancuar edhe më shumë, duke shfaqur elemente të lobimit nga pronarët e mëdhenj të televizioneve si Aleksandër Frangaj, Irfan Hysenbelliu, Carlo Bollino dhe përfaqësues të tjerë si drejtues Ben Blushi, Ilva Tare etj.
“Takimi kishte në fokus diskutimin paraprak për propozimin e tyre, për një ndryshim në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Ky ndryshim që është përcjellë në AMA, ka për qëllim mbështetjen financiare të subjekteve televizivë përmes krijimit të një fondi të finacimeve të transmetimeve. Gjatë takimit u diskutua për dobishmërinë e këtij propozimi dhe rëndësinë që ka një financim i tillë për mediat private.”, komenton Autoriteti i Mediave Audiovizive.
Madje sipas AMA-s, shpjegimet e përfaqësuesve të televizioneve private si më poshtë janë për t’u vlerësuar:
Aleksandër Frangaj-TV Klan
“Tha se propozimi vjen nga shoqata e mediave dhe pjesës më të madhe të televizioneve privatë. Kjo ide nuk është e re, por është rikthim i propozimit të bërë në vitin 2012, ku kërkohej krijimi dhe përfshirja e “fondit të transmetimeve” në ligjin 97/2013 “Për mediat audio dhe audiovizive në Republikën e Shqipërisë””
Irfan Hysenbelliu- News 24
“U shpreh se e mbështet tërësisht këtë projektligj dhe se kjo praktikë vjen nga eksperienca evropiane, e cila është tashmë e provuar që funksionon si e suksesshme”
Ilva Tare- Ora News
“Theksoi se, duke qenë se edhe media private kryen shërbim publik, ky ligj do të sigurojë dhe përmirësojë cilësinë mediatike dhe besueshmërinë tek publiku”
Carlo Bollino- Report TV
“Vleresoi se ligji është siguri edhe për gazetarinë investigative, duke promovuar lirinë e medias dhe rrit luftën kundër fake news.”
Ben Blushi-Top Channel
“U shpreh se, ky projektligj është tashmë i konsultuar dhe ai tenton të rregullojë përfundimisht tre aspekte të rëndësishme: raportin e televizioneve në tregun mediatik, raportin e tyre me publikun dhe siguron integrimin e një Bordi Etik pranë çdo medie. Ky bord merr përsipër të luftojë lajmin e rremë. Ky projekt për Blushin rrit pavarësinë mediatike dhe i ka të gjitha arsyet të miratohet sa më shpejt.”
Aktualisht për TVSH-në ne paguajmë në vit 12 mijë lekë të vjetra dhe propozimi aktual është të shkojë në 18 mijë lekë të vjetra. Sipas AMA-s fondi që propozohet të përdoret për mbështetjen e TV private, propozohet të përftohet prej tarifës së shërbimit për përdorimin e aparatit marrës televiziv./Hashta.al




