E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skënder Hita: Kush prek një polic, ka goditur themelet e shtetit!
Lajme

Skënder Hita: Kush prek një polic, ka goditur themelet e shtetit!

Kryepolici mesazh të fortë në rivarrimin e dëshmorit Novruz Cenalia

Në një ceremoni të mbushur me emocion dhe reflektim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mori pjesë në rivarrimin e Dëshmorit të Atdheut, Novruz Cenalia, efektivit që humbi jetën në krye të detyrës dy vite më parë në Fier.

Në fjalën e tij, Hita e cilësoi figurën e Cenalias si një simbol të përjetshëm të sakrificës dhe shërbimit ndaj ligjit, duke theksuar se ai tashmë nuk përfaqëson më vetëm një emër në radhët e policisë, por një vlerë të ngulitur në memorien kombëtare.

Sipas tij, ceremonia nuk ishte thjesht një akt formal, por një moment solemn që shërben si kujtesë për të gjithë shoqërinë mbi çmimin që paguhet për sigurinë publike. Ai nënvizoi se përditë, qindra efektivë vendosin jetën në rrezik në përmbushje të detyrës, duke e kthyer profesionin në mision.

Hita u ndal edhe te mesazhi i fortë ndaj kujtdo që cenon uniformën e policisë, duke paralajmëruar se çdo akt dhune ndaj punonjësve të rendit përbën goditje direkte ndaj vetë shtetit dhe do të përballet me reagim të ashpër ligjor.

Në një moment veçanërisht emocional, ai iu drejtua familjes së dëshmorit, duke theksuar se humbja e tyre është njëkohësisht humbje për të gjithë Policinë e Shtetit dhe për Republikën, ndërsa kujtimi i Cenalias do të mbetet i gjallë në çdo patrullë dhe përballje me paligjshmërinë.

Duke e cilësuar sakrificën e tij si të pashlyeshme, Hita tha se ka akte që historia i shënon përgjithmonë, jo me fjalë, por me gjakun e atyre që japin jetën për të mbrojtur të tjerët.

Ceremonia u mbyll me homazhe dhe mesazhe respekti për figurën e Novruz Cenalias, i cili tashmë radhitet mes atyre që konsiderohen simbole të shërbimit dhe dinjitetit në Shqipëri.

Fjala e plotë e Hitës:

Të nderuar familjarë të Dëshmorit të Atdheut Novruz Cenalia,
I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, z. Lamallari,
Të nderuar kolegë, drejtues dhe qytetarë,

Dhimbja, heshtja dhe reflektimi sot peshojnë më rëndë se çdo fjalë në këtë ceremoni, sepse përballë sakrificës së një njeriu që ra në krye të detyrës, çdo fjali duket e pamjaftueshme.

Jemi këtu përballë dhimbjes së pamasë të një familjeje, krenarisë së palëkundur të uniformës së Policisë së Shtetit dhe detyrimit moral e institucional të shtetit ndaj një efektivi që dha jetën në mbrojtje të ligjit, të rendit dhe të sigurisë së qytetarëve tanë.

Mbi këtë kodër, ku prehet nderi dhe sakrifica e kombit, ne nuk po kryejmë thjesht një procedurë shtetërore apo një protokoll zyrtar. Ky moment është më shumë se një ceremoni, është një betim, një kujtesë e gjallë, një plagë që nuk shërohet dhe një nder që nuk do të shuhet kurrë.

Sot sollëm në shtëpinë e përjetësisë një djalë, një koleg, një shërbëtor model të ligjit. Novruz Cenalia nuk është më vetëm emri i një inspektori të Policisë së Shtetit, por nga sot, ai rreshtohet në Panteonin e “Nënës Shqipëri”, përbri atyre burrave dhe grave që integritetin dhe detyrën e tyre ndaj atdheut i vulosën me aktin më sublim.

Novruzi ra në krye të detyrës jo se ishte i pambrojtur, por se zgjodhi të ishte barriera mes qytetarëve dhe krimit dhe për këtë integritet të lartë dhe besnikëri ndaj betimit, ai sot do prehet përjetësisht mes Dëshmorëve të Atdheut.

Një familje e nderuar humbi një bir të shtrenjtë, Policia e Shtetit humbi një koleg të shkëlqyer dhe Republika humbi një mbrojtës besnik të saj.

Ndaj sot, me përgjegjësinë e lartë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kam detyrimin moral dhe institucional t’i drejtohem: “Novruz, misioni yt nuk u ndërpre, ai u bë i përjetshëm!”

Sakrifica jote sublime është sot motivi më i fortë, por edhe një udhërrëfyes i qartë morali për çdo punonjës policie që vesh këtë uniformë.

Në të njëjtën kohë, ky moment është një thirrje zgjimi për mbarë shoqërinë shqiptare, për të kuptuar dhe respektuar sakrificën e përditshme të mijëra djemve e vajzave, grave e burrave të Policisë së Shtetit, të cilët çdo sekondë vendosin jetën e tyre në altarin e sigurisë publike.

Ka sakrifica që historia i shkruan me bojë, por ka edhe nga ato që shkruhen me gjak dhe mbeten të pashlyeshme në kujtesën e një kombi dhe sakrifica e jote është pikërisht e tillë.

Novruz, sot ti po bashkohesh me shokët e tu Dëshmorë, me ata që idealin dhe profesionin e kthyen në mision dhe jetën në simbol shërbimi e dinjiteti. Trupi yt do të prehet në këtë tokë të shenjtë, por emri yt do të marshojë me ne në çdo patrullë, në çdo operacion dhe në çdo përballje të Policisë së Shtetit me paligjshmërinë.

Të dashur familjarë të Novruzit!

Ju humbët një djalë të mrekullueshëm, por sot e tutje, në figurën e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit do të gjeni një pjesë të shpirtit të Novruzit.

Dhimbja dhe Krenaria juaj është absolutisht dhimbja dhe krenaria jonë. Por sot, krenaria për veprën e tij duhet të jetë më e madhe se loti, sepse emri i tij tashmë është shkruar me shkronja ari në memorien historike të këtij institucioni dhe të këtij vendi.

Nga ky vend solemn, ku nderohen heronjtë, sot do t’i përcjell një mesazh të qartë, të prerë dhe të patundur kujtdo që guxon të ngrejë dorën mbi uniformën e Policisë së Shtetit:

Kush prek një punonjës policie, ka goditur vetë themelet e shtetit. Kush sulmon këtë uniformë, ka sulmuar rendin, sigurinë, ligjin dhe bashkëjetesën qytetare në Republikën e Shqipërisë.
Krimi mund të na shkaktojë dhimbje dhe mund të na marrë jetë, por kurrë, asnjëherë nuk do të arrijë të na gjunjëzojë, të na zmbrapsë apo të zbehë forcën e reagimit tonë.
Çdo dorë që ngrihet mbi uniformën e Policisë do ndeshë forcën e pamëshirshme të ligjit dhe harresën e turpshme të historisë.

I dashur Asllan, babi i Dëshmorit dhe njëherazi kolegu ynë i nderuar. E di që rrugëtimi për ty nën uniformën e Policisë së Shtetit është i vështirë e me dhimbje, por ti ke një motiv shumë më të madh se dhimbja, ke emrin dhe aktin sublim të Novruzit i cili do të mbetet përjetësisht i ndritur.

Sepse ka njerëz që jetojnë gjatë por harrohen shpejt, por ka dhe si Novruzi ynë, që u largua herët, por do mbeten përgjithmonë në piedestalin e kombit.

U prehsh në paqe, vëlla e koleg i shtrenjtë!

I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorit të Atdheut, Novruz Cenalia!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.