Skënder Hita takime me strukturat në Kukës dhe Dibër, porositë për vartësit
Rritja e sigurisë publike, menaxhimi i sezonit turistik dhe lufta kundër paligjshmërisë ishin në qendër të takimeve që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi me drejtuesit dhe strukturat policore në qarqet Kukës dhe Dibër, përfshirë edhe njësitë e kufirit dhe migracionit.
Gjatë këtyre takimeve, theksi u vendos tek përmirësimi i performancës në terren, forcimi i disiplinës dhe rritja e komunikimit me qytetarët. Drejtori kërkoi reagim të shpejtë ndaj çdo problematike dhe ndjekje të vazhdueshme të konflikteve apo shqetësimeve të raportuara, duke synuar një shërbim sa më efikas dhe të besueshëm.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua luftës kundër kriminalitetit në disa drejtime kyçe. Strukturat policore u udhëzuan të intensifikojnë goditjet ndaj armëmbajtjes pa leje, shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht pranë institucioneve arsimore, si dhe të parandalojnë kultivimin e bimëve narkotike në çdo territor. Po ashtu, prioritet mbetet kapja e personave në kërkim dhe hetimi i rasteve të dhunës në familje.
Në fokus të veçantë ishte edhe siguria në shkolla, ku u kërkua angazhim maksimal deri në përfundim të vitit mësimor. Për këtë qëllim, u theksua nevoja për prezencë më të shtuar të shërbimeve policore dhe agjentëve të Policisë Kriminale në afërsi të shkollave, për të parandaluar çdo tentativë të elementëve kriminalë për t’u afruar tek nxënësit.
Siguria rrugore përbën një tjetër prioritet. Hita kërkoi përdorimin e teknologjisë për monitorimin e qarkullimit në akset nacionale, duke shmangur kontaktet e panevojshme mes policisë dhe drejtuesve të mjeteve. Shkeljet do të evidentohen dhe ndëshkohen përmes sistemeve inteligjente, ndërsa në zonat urbane do të ketë tolerancë zero ndaj parkimeve të gabuara, bllokimit të trotuareve, si dhe sjelljeve të rrezikshme në rrugë.
Një tjetër shqetësim i ngritur ishte fenomeni i zhurmave dhe manovrave të rrezikshme nga automjetet, përfshirë përdorimin e marmitave të modifikuara, që po kthehen në problem për komunitetin. Strukturat policore u udhëzuan të ndërhyjnë me vendosmëri për ndëshkimin e këtyre rasteve.
Në kuadër të sezonit veror, rëndësi e veçantë iu dha sigurisë së turistëve. Policia kufitare u porosit të përmirësojë cilësinë e shërbimit, të shtojë sportelet në rast fluksi dhe të garantojë komunikim korrekt dhe etik me çdo qytetar që hyn apo del nga territori.
Një kapitull më vete në këto takime ishte edhe parandalimi i zjarrvënieve, një problem i përsëritur gjatë verës. Drejtori kërkoi nisjen e menjëhershme të masave parandaluese, përfshirë bashkëpunimin me administratorët lokalë dhe informimin e barinjve mbi përgjegjësitë e tyre. Po ashtu, u kërkua identifikimi dhe monitorimi i personave që kanë qenë të përfshirë në raste të tilla në vitet e kaluara.
Në përmbyllje, Hita dha një mesazh të qartë për të gjithë efektivët: mbështetje për çdo punonjës të ndershëm dhe masa të rrepta ndaj kujtdo që shkel ligjin apo abuzon me detyrën, duke cenuar besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



