Skënder Hita takon ambasadorin holandez: Fokus, lufta ndaj krimit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, si dhe me Oficerin e Kontaktit të Holandës pranë Policisë së Shtetit.
Gjatë takimit, ambasadori Vos i dorëzoi kreut të Policisë së Shtetit një letër urimi nga Drejtoresha e Policisë holandeze, Janny Knol, me rastin e marrjes së detyrës. Në mesazhin e saj, ajo shprehu vlerësim për drejtuesin e ri dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër kriminalitetit ndërkufitar.
Në letrën zyrtare theksohet angazhimi i përbashkët i policive për të përballuar sfidat e krimit ndërkombëtar dhe për të forcuar koordinimin mes strukturave ligjzbatuese.
Nga ana e tij, Drejtori Hita falënderoi për mesazhin dhe vlerësoi marrëdhëniet e konsoliduara mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve holandeze. Ai theksoi se ky bashkëpunim ka dhënë rezultate konkrete, sidomos në identifikimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas tij, partneriteti ka përfshirë edhe krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore, shkëmbimin në kohë reale të informacionit kriminal, si dhe gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me origjinë të paligjshme.
Hita shprehu gatishmërinë për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me agjencitë ligjzbatuese të Holandës.
Nga ana tjetër, ambasadori Vos përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm për detyrën dhe vlerësoi vizionin e tij për një polici moderne, efikase dhe më pranë qytetarëve. Ai garantoi mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve holandeze në forcimin e sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Takimi u përqendrua gjithashtu në rritjen e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe në përmirësimin e mekanizmave të përbashkët për goditjen e kriminalitetit ndërkombëtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



