Sot 126 ditë revoltë, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit
Pas më shumë se katër muajsh tubimesh të përditshme, qytetarët dhe aktivistët zhvillojnë sot protestën e 126-të në kryeqytet. Kërkesat mbeten dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike dhe ndryshimi i drejtimit politik të vendit.
Tirana bëhet sërish skenë e protestës së përditshme kundër qeverisë. Sot zhvillohet tubimi i 126-të qytetar, pas më shumë se katër muajsh mobilizimi të pandërprerë, ku protestuesit dhe aktivistët paralajmërojnë se do të vijojnë qëndresën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Protesta e radhës vjen një ditë pas tubimit të 125-të, gjatë të cilit qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan në disa prej rrugëve të kryeqytetit.
Gjatë protestës së djeshme u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Pjesëmarrësit kërkuan largimin e tij nga detyra dhe ndryshimin e drejtimit politik të vendit. Në përfundim të tubimit, organizatorët dhe protestuesit u bënë thirrje qytetarëve të tjerë t’u bashkohen protestave në ditët në vijim.
Akuza ndaj qeverisë dhe kërkesa për qeveri teknike
Në protestën e 125-të nuk munguan as deklaratat e forta dhe akuzat ndaj përfaqësuesve të qeverisë. Një prej protestueseve kërkoi arrestimin e Belinda Ballukut, duke ngritur akuza për korrupsion ndaj saj dhe qeverisë.
Prej javësh, protestuesit përsërisin se kërkesa e tyre kryesore është largimi i Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë. Në platformën e tyre politike përfshihet edhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, si dhe ndryshime në sistemin politik.
Një tjetër kërkesë e tyre është shfuqizimi i disa nismave ligjore që kundërshtohen nga organizatorët e protestës.
Edhe pas përfundimit të fjalimeve përpara Kryeministrisë, një ditë më parë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke mbajtur gjallë mobilizimin që tashmë ka kaluar kufirin e katër muajve.
Me tubimin e sotëm, protesta hyn në ditën e saj të 126-të, ndërsa pjesëmarrësit paralajmërojnë se do të vijojnë të kërkojnë plotësimin e platformës së tyre politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



