Sot 133 ditë në protestë kundër Ramës, qytetarët nuk dorëzohen
Protesta qytetare kundër qeverisë vijon edhe sot në Tiranë, ndërsa pjesëmarrësit këmbëngulin në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Lëvizja shënon ditën e 133-të të qëndresës, pas më shumë se katër muajsh protestash, me organizatorët që deklarojnë se nuk do ta ndërpresin aksionin pa u përmbushur kërkesat e tyre.
Përveç largimit të Ramës, protestuesit kërkojnë ngritjen e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, si dhe ndryshime në sistemin politik dhe zgjedhor. Në platformën e tyre përfshihet edhe kundërshtimi i disa nismave ligjore, të cilat, sipas tyre, cenojnë interesat e qytetarëve.
Reforma territoriale shton pakënaqësitë
Protesta e sotme zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pas miratimit në Kuvend të reformës administrativo-territoriale, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Ndryshimet janë kundërshtuar nga opozita dhe nga qytetarë që ngrenë shqetësime për ndikimin e riorganizimit në përfaqësimin vendor, decentralizimin dhe ofrimin e shërbimeve publike, veçanërisht në njësitë më të vogla.
Kjo çështje i shtohet kërkesave të protestuesve, të cilët kundërshtojnë drejtimin aktual të qeverisë dhe kërkojnë ndryshime që, sipas tyre, duhet të garantojnë një sistem politik dhe zgjedhor më përfaqësues.
13 tetori, thirrje për studentët dhe të rinjtë
Organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke synuar zgjerimin e pjesëmarrjes qytetare.
Një datë e rëndësishme në kalendarin e protestave është 13 tetori, kur është bërë thirrje për përfshirjen e studentëve dhe të rinjve në tubim.
Mbetet për t’u parë se çfarë përmasash do të marrë mobilizimi i paralajmëruar dhe nëse pjesëmarrja e brezit të ri do t’i japë një shtysë të re lëvizjes.
Për momentin, protestuesit vijojnë të mbajnë të pandryshuara kërkesat për largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime në sistemin politik e zgjedhor, ndërsa qëndresa e tyre hyn në ditën e 133-të.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



