E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sot mbahet seanca e fundit plenare e sesionit parlamentar
Lajme

Sot mbahet seanca e fundit plenare e sesionit parlamentar

Kuvendi mblidhet sot në seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, në një klimë që pritet të shoqërohet me debate të forta politike, sidomos mbi funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.

Në qendër të diskutimeve do të jenë raportet vjetore për vitin 2025 të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Një nga pikat më të nxehta të rendit të ditës pritet të jetë shqyrtimi i raportit të SPAK, i cili shpesh ka qenë në qendër të përplasjeve politike. Deputetët do të diskutojnë projektrezolutën që vlerëson punën e kësaj strukture gjatë vitit të kaluar, ndërsa nuk përjashtohet një debat i ashpër mbi rezultatet në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Seanca do të përfshijë gjithashtu diskutimin e raporteve të Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndërkohë që janë parashikuar edhe interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët e opozitës.

Paralelisht me raportet institucionale, në rendin e ditës janë përfshirë edhe një sërë aktesh normative dhe projektligjesh që prekin fusha të ndryshme, nga ekonomia dhe turizmi, te legjislacioni detar, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe pronësia industriale. Mes tyre spikat edhe akti normativ për financimin e pjesshëm të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare.

Në fund të seancës, deputetët pritet të votojnë për emërime në Komisionin e Prokurimit Publik, si dhe të zhvillojnë diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Ndërkohë, jashtë sallës së Kuvendit, tensioni politik pritet të reflektohet edhe në terren. Protestuesit kanë paralajmëruar një tubim përpara Parlamentit ditën e nesërme, në mënyrë simbolike për të “përcjellë” deputetët në mbyllje të sesionit.

Seanca e fundit plenare vjen pas një tjetër mbledhjeje të tensionuar, ku përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës çuan në ndërprerjen e diskutimeve, pasi opozita kundërshtoi raportimin e Avokatit të Popullit, duke mos e njohur mandatin e tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.