Sot protesta e 14-të në Tiranë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës
Tirana pritet të jetë sërish sot në qendër të zhvillimeve politike, teksa mbahet protesta e 14-të radhazi kundër qeverisë. Kryefjala e kësaj lëvizjeje qytetare mbetet kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pas mobilizimit të një dite më parë në kryeqytet, ku një numër i lartë qytetarësh dolën në rrugë për të shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike, organizatorët kanë njoftuar një tjetër tubim që do të zhvillohet sot në orën 18:00 në sheshin qendror të Tiranës.
Nisma, e cila po prezantohet si një lëvizje e drejtuar nga vetë qytetarët, ka bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë nga të gjitha qytetet e vendit, duke synuar një prezencë masive në sheshin “Skënderbej”. Mesazhi i organizatorëve është i qartë: bashkim qytetar për ndryshim politik.
Gjatë protestave të fundit janë dëgjuar vazhdimisht thirrje si “Shqipëri e re”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Rama dhe Berisha në burg”, duke reflektuar pakënaqësinë e thellë të një pjese të qytetarëve ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare.
Atmosfera në Tiranë mbetet e ndezur, ndërsa pritet të shihet nëse protesta e sotme do të shënojë një tjetër kulm të mobilizimit qytetar dhe presionit ndaj qeverisë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



