Sot PS mbledh Kongresin, ja axhenda
Socialistët mbledhin sot Kongresin, nga ku do të prezantohet projekti i transformimit të partisë, arritjet dhe synimet për mandatin e katërt.
Punimet e kongresit nisin në orën 11:45 dhe do të jenë të ndarë në 6 panele: Reforma në Drejtësi dhe Lufta kundër Korrupsionit, Prioritetet zhvillimore, Qeverisja Vendore, Siguria dhe Shqipëria në botë si dhe Partia Socialiste 2030.
Socialistët do t’i drejtohen Kongresit të 8 dhjetorit, me një objekiv të qartë: Ambicien për mandatin e katërt në 2025, në të cilin kundërshtar nuk duket të kenë vetëm opozitën.
Ndërkohë një skenar që po përflitet është se kryeministri Edi Rama ka shqyrtuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Dy grupime të njerëzve me influencë pranë kreut të qeverisë dhe që kanë vëmendjen e tij, i kanë vendosur në tryezë dy mundësi këtë mbrëmje.
Duke marrë parasysh se SPAK ka në shënjestër ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, grupimi i parë i ka sugjeruar Ramës zgjedhje të parakohshme, që kështu t’ia kalojë dardhat ‘e prishura’ drejtësisë. Ndërsa grupimi tjetër, sipas Zhejit, ka paraqitur risqet e këtij propozimi.
Objektivi që të premten shpaloset, për sekretarin e Përgjithshëm të PS Blendi Klosin vjen vetëm me hapjen e partisë, që me gjasë do të lakmojë edhe të djathtët që ende dilemën se kush i udhëheq e kanë të pazgjidhur.
E si një nga kartat e forta të 10 viteve në pushtet, Reforma në Drejtësi pritet të jetë kryefjalë edhe në Kongresin e 8 dhjetorit.
Pesha kryesore do të jetë fjala e kryesocialistit Edi Rama, me të cilin do të mbyllet kongresi. Të pranishëm në kongres do të jenë edhe përfaqësues nga partitë simotra evropiane.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



