Sot raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë
Në 21 komuna të Kosovës sot zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto 21 komuna është 1 milion e 260 mijë e 571 votues.
Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur më pak fletëvotime, rreth 10% apo rreth 125 mijë fletëvotime me pak se numri i përgjithshëm i votuesve të këtij rundi.
Votimi do të mbahet në 1,638 vendvotime ndërkohë që, KQZ-ja do të mundësojë edhe votimin e personave me nevoja dhe rrethana të veçanta si dhe të atyre të infektuar me COVID-19.
KQZ-ja do të angazhojë 80 ekipe për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të paaftësisë shëndetësore, fizike apo çfarëdo paaftësie tjetër.
Numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2,450, prej të cilëve 1,544 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues që janë në hospitalizim, në shtëpi të caktuar për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit.
Po ashtu, KQZ-ja do të angazhojë edhe 30 ekipe të tjera për të mundësuar votimin e qytetarëve të infektuar me COVID-19.
KQZ-ja ka pranuar për zgjedhjet e rundit të dytë 1,571 pako me fletëvotime nga jashtë, të cilat janë dërguar nga mërgata nga 29 tetori deri më 12 nëntor.
Ndërkaq, numri i vëzhguesve që do ta monitorojnë rundin e dytë është 10,510, prej të cilëve: 577 janë nga mediat, 30 nga mediat e huaja, 9,287 vëzhgues nga subjektet politike, 50 nga misionet diplomatike, 319 nga organizatat joqeveritare vendore, 178 nga organizatat e huaja dhe 69 nga Institucioni i Avokati i Popullit.
Komunat ku do të mbahen zgjedhjet për balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva, Kamenica, Drenasi, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti./Koha.net
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



