E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK dhe gjermanët godasin Call Center-in në Tiranë
Lajme

SPAK dhe gjermanët godasin Call Center-in në Tiranë

Një operacion i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve gjermane ka çuar në ekzekutimin e disa masave të sigurisë ndaj një grupi personash të dyshuar për mashtrime kompjuterike përmes një call center-i në Tiranë.

Në total janë caktuar 11 masa sigurie ndaj shtetasve shqiptarë, ndërsa deri më tani janë ekzekutuar 8 prej tyre. Hetimi lidhet me aktivitetin e ish-qendrës së thirrjeve “Bluenergycall shpk”, e cila dyshohet se përdorej për të joshur qytetarë gjermanë dhe shtetas të tjerë europianë që të investonin para në platforma të dyshuara mashtruese.

Masat e sigurisë janë ekzekutuar më 9 shtator nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar.

Operacioni është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 300/1 të vitit 2021 dhe hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore, e ngritur mes Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Bambergut në Gjermani.

Sipas SPAK, për tre prej personave nën hetim është caktuar masa “Arrest në burg”, ndërsa dy të tjerë janë vendosur në “Arrest në shtëpi”. Për personat e tjerë janë caktuar masa e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Të dyshuarit hetohen, sipas rasteve, për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, të kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për krijimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Si funksiononte skema e dyshuar

Hetimi ka nisur në vitin 2021, ndërsa më 16 mars 2022, pas një kërkese për ndihmë juridike nga autoritetet gjermane dhe vendimeve të GJKKO-së, u zhvilluan kontrolle në ambientet e “Bluenergycall shpk” dhe në subjekte të lidhura me të.

Call center-i ushtronte aktivitetin në zonën e Rrugës së Kavajës në Tiranë.

Nga materialet e sekuestruara dhe analizimi i të dhënave elektronike, sipas SPAK, rezultoi se agjentët e qendrës së thirrjeve kontaktonin shtetas gjermanë dhe qytetarë të tjerë europianë, duke i bindur të investonin në bursa ndërkombëtare.

Paratë, sipas hetimit, depozitoheshin në platforma të dyshuara si mashtruese dhe më pas transferoheshin në llogari bankare në shtete të ndryshme, përfshirë Bullgarinë, Lituaninë, Poloninë dhe Qipron.

Më tej, fondet dyshohet se zhdukeshin përmes një serie transfertash ose konvertoheshin në kriptovaluta, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e tyre.

SPAK deklaron se hetuesit kanë identifikuar edhe dy adresa IP të përdorura nga “Bluenergycall shpk” në Shqipëri, përmes të cilave dyshohet se realizohej aktiviteti i mashtrimit.

Të dhënat elektronike të sekuestruara gjatë kontrolleve të vitit 2022 janë analizuar nga autoritetet gjermane, veçanërisht nga strukturat e Prokurorisë së Bambergut që hetojnë krimet kibernetike.

Hetimi zbuloi persona të tjerë të dyshuar

Hetimi ka pasur edhe zhvillime të mëparshme. Në një fazë të tij, SPAK ka dërguar për gjykim pronarin dhe punonjësin e IT-së së “Bluenergycall shpk”, të akuzuar për mashtrim kompjuterik në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për krijimin dhe pjesëmarrjen në një grup të strukturuar kriminal.

Për gjykim janë dërguar edhe 11 persona të tjerë, të akuzuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Më pas, hetimet kanë vijuar në kuadër të procedimit të ndarë nr. 300/1 të vitit 2021, me qëllim identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e aktivitetit kriminal.

Sipas SPAK, masat e fundit të sigurisë janë rezultat i analizimit të një sasie të konsiderueshme të dhënash kompjuterike, të krahasuara me provat e tjera të mbledhura gjatë hetimit.

Nga këto veprime hetimore, Prokuroria e Posaçme thotë se është bërë i mundur identifikimi i anëtarëve të tjerë të dyshuar të grupit të strukturuar kriminal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.