E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK finalizon hetimet për bandën e mikrokredive:
Flash

SPAK finalizon hetimet për bandën e mikrokredive:

Nis “Maxi Procesi” për skemën kriminale që shkatërroi jetën e mbi 100 mijë shqiptarëve

SPAK ka zyrtarizuar përfundimin e hetimeve për një nga skemat më të mëdha kriminale financiare në historinë e Shqipërisë post-komuniste mashtrimin masiv me mikrokreditë. Dosja voluminoze prej 210 faqesh dhe 234 fashikujsh provash, i është dërguar zyrtarisht 30 prej viktimave të kësaj skeme, duke hapur rrugën për një gjyq historik që pritet të nisë në shtator 2025 në GJKKO.

Në qendër të akuzave qëndron një grup i strukturuar kriminal që për më shumë se 9 vite ka mashtruar, zhvatur dhe shkatërruar financiarisht mijëra qytetarë shqiptarë përmes kompanive si Micro Credit Albania, Final, ADCA dhe Zyra e Përmbarimit TDR Group.

Emrat në bankën e të pandehurve

Në përfundim të hetimit, Prokurori Edvin Kondili ka ngritur akuza të rënda penale ndaj një grupi prej 18 individësh dhe 4 personash juridikë, mes të cilëve:

  • Elda Ibro, Arben Meskuti, Alban Kote, Aldo Daka, Albert Gega, Andis Gjoka, Yliana Sejfo, Indrit Çuberi, Altin Vako, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Roland Deda, Endri Myftari, Vasil Bakallbashi, R. Bejko, Personi juridik MCA, Final, ADCA, dhe TDR Group.

I vetmi që i shpëton ndjekjes penale është Olsi Ibro, një nga organizatorët kryesorë të skemës, i cili ka ndërruar jetë pasi kreu vetëvrasje.

Akuzat: Mashtrim, falsifikim dhe organizatë kriminale

Prokuroria e Posaçme i akuzon të pandehurit për:

  • Mashtrim me pasoja të rënda
  • Falsifikim dokumentesh
  • Falsifikim nga persona me detyrë zyrtare
  • Krijim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal
  • Kryerje veprash penale nga organizatë kriminale

Dënimet e parashikuara nga Kodi Penal shkojnë deri në 25 vite burg, ndërsa për organizatorin Arben Meskuti, SPAK pritet të kërkojë të paktën 20 vite burg.

Skema e grabitjes: Si u morën 1700 prona dhe mijëra llogari bankare

Hetimi nxori në dritë një skemë të sofistikuar mashtrimi që përdorte ankande fiktive, debitime të fryra, kërcënime për përmbarim dhe falsifikime dokumentesh për të marrë peng pasuritë e qytetarëve dhe t’i detyronte ata të merrnin kredi të reja me kushte abuzive.

Vetëm në periudhën e hetuar, grupi kriminal ka vënë në dorë të paktën 1,700 prona të paluajtshme dhe ka sekuestruar mijëra llogari bankare.

Tragjeditë njerëzore: Rasti i Pal Trashajt

Dokumenti i SPAK, në faqen 46, përshkruan historinë rrëqethëse të Pal Trashaj, një qytetar që për një borxh prej 27,935 lekësh, pasi iu mor prona dhe iu bllokua jeta, vendosi të vetëhelmohej përpara selisë së SPAK.

Ky nuk është rasti i vetëm. Dokumenti përmban qindra histori të ngjashme, që shfaqin brutalitetin e një skeme që shfrytëzoi hallin dhe padijen e qytetarëve, për t’i kthyer në viktima të një sistemi pa mbikëqyrje, por me mbështetje të heshtur nga shteti.

“Maxi Procesi”: Një çështje e shekullit

Procesi që pritet të nisë në GJKKO cilësohet nga burime të drejtësisë si një nga gjyqet më të mëdha dhe më të rëndësishme të kohëve të fundit, me një numër rekord viktimash dhe me ndikim të gjerë publik.

Për momentin janë njoftuar vetëm 30 viktima si palë të interesuara, por numri real i qytetarëve të prekur llogaritet në mbi 100 mijë, shumë prej të cilëve do të mund të bashkohen në këtë çështje gjatë procesit.

Pse heshti shteti?

Dokumenti i SPAK është në fakt një pasqyrim zyrtar i asaj që mediat dhe aktivistët kanë denoncuar prej vitesh. Pyetja që ngrihet me të drejtë është: Pse kjo skemë funksionoi për kaq gjatë? Pse nuk ndërhyri askush?

Sot që fjalët e medias përkthehen në akuza penale zyrtare, duket e qartë se institucionet nuk dështuan vetëm nga paaftësia, por edhe nga kompromisi.

Për këtë arsye, ky proces nuk është vetëm për fajtorët e drejtpërdrejtë, por duhet të jetë edhe një akt akuze ndaj shtetit që heshti, ndërsa një grup i strukturuar kriminal rrënonte shqiptarët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.