E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK kërkon 13 vite burg për Rezart Taçin
Lajme

SPAK kërkon 13 vite burg për Rezart Taçin

Dyshimet e forta për lidhje me mafian italiane “Cosa Nostra”

SPAK ka kërkuar dënimin me 13 vite burg për biznesmenin shqiptar Rezart Taçi, i cili akuzohet për përfshirje në një skemë të tentativës për pastrimin e rreth 18.3 milionë eurove, para që dyshohet se lidhen me organizatën mafioze italiane Cosa Nostra.

Kërkesa është paraqitur nga prokurori Klodian Braho, i cili ka kërkuar gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të shumës prej rreth 18 milionë eurosh, që sipas organit të akuzës dyshohet të jetë produkt i aktivitetit kriminal.

Biznesmeni ndodhet aktualisht në kërkim dhe po përballet me proces gjyqësor në mungesë, pasi ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”, e dhënë gjithashtu në mungesë. Procesi gjyqësor ishte pezulluar për afro një vit, për shkak se autoritetet nuk arritën të lokalizonin Taçin për ekzekutimin e vendimit të arrestit.

Sipas prokurorëve të SPAK, ai akuzohet për veprat penale “pastrim parash” dhe “grup i strukturuar kriminal”, të lidhura me një skemë të dyshuar për transferimin dhe legalizimin e fondeve që mendohet se burojnë nga aktivitetet e paligjshme të mafies italiane.

Nga ana tjetër, mbrojtja ligjore e biznesmenit, e përfaqësuar nga avokatja Ilenja Mëhilli, ka kërkuar pushimin e çështjes. Sipas saj, dosja është ndarë nga procedimi ndaj disa shtetasve italianë, përkatësisht Francesco Zummo, Ignazio Zumo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, të cilët po përballen me drejtësinë në Itali. Sipas mbrojtjes, edhe Rezart Taçi është subjekt i një procesi gjyqësor në shtetin italian.

Aktualisht çështja vijon të shqyrtohet në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa trupa gjykuese pritet të marrë një vendim mbi kërkesën e prokurorisë për dënimin e biznesmenit dhe konfiskimin e pasurisë që dyshohet se është përfituar nga aktivitet kriminal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.