SPAK kërkon konfiskimin e pasurisë së Moisi e Florian Habilajt, mbi 82 milionë lekë
Pasi kërkoi një dënim prej 63 vite burg në total për anëtarët e grupit Habilaj, SPAK kërkon edhe konfiskimin e pasurisë së Moisi e Florian Habilaj, që kap vlerën 82.4 milionë lekë.

Bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme, mes të cilave truall, ndërtesë, një sërë apartamentesh dhe një garazh.
Të gjitha pasuritë e shtetasve të lartpërmendur ndodhen në Vlorë, ku disa figurojnë në emër të Artan Habilajt, Ciko Habilajt, Zenepe Habilajt dhe Klementina Habilajt.
Mes konfiskimeve është dhe një njësi në pronësi të shoqërisë ”TURI&MZB” sh.a. Në total kërkohet konfiskimi i 7 apartamenteve, një ndërtese me sipërfaqe 156 metër katror, dy njësive dhe një trualli me sipërfaqe me 580 metër katror.
SPAK kërkoi 18 vite burg për Moisi Habilajn, 15 vite burg për Nezar Seitin, 15 vite burg për Meridian Sulajn dhe po aq për Fatmir Minajn. Ata akuzohen për trafik e kultivim narkotikësh në kuadër të grupit kriminal, ndërkohë që ndaj tyre ka dënim dhe nga gjykatat italiane.
Moisi Habilaj, i cili është konsideruar si koka e grupit të trafikut të drogës, u arratis nga vendi i vuajtjes së dënimit të arrestit të shtëpisë, në Itali, dhe tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



