SPAK kontrolle në 5 ambiente, çfarë u sekuestrua

Shkaktuan 195 milionë euro dëm, shkatërrohet grupi kriminal që vepronte në Shqipëri dhe gjithë Europën

Gjatë një aksioni të Europol të shtrirë në 17 vende, mes të cilave edhe Shqipëria janë arrestuar 14 persona që akuzohet se kanë orkestruar një mashtrim masiv të TVSH-së prej 195 milionë eurosh.

Në lidhje me këtë aksion, SPAK njofton se ka kryer 5 kontrolle ambientesh, ku janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike (aparate telefonike, laptop, si dhe USB/HDD).

Ndërkohë janë marrë në pyetje shtetas të ndryshëm, si dhe janë siguruar të gjitha provat materiale që subjektet në hetim kanë kryer në Shqipëri.   

Njoftimi i plotë: 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik Europian (EPPO), ka ndjekur hetimet për Operacionin e koduar “Cluster Midas”, për veprën penale “Evazioni Fiskal”, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Këto aktivitete janë kryer duke krijuar fatura fiktive me qëllimin e rimbursimit të TVSH-së, si dhe shmangien e detyrimeve fiskale.

Dëmi i kryer nga këto aktivitete llogaritet të jetë 195 milion Euro, i cili është i shpërndarë në 17 shtete kryesisht Evropiane.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka kryer 5 kontrolle ambientesh, nga të cilat janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike (aparate telefonike, laptop, si dhe USB/HDD), janë marrë në pyetje shtetas të ndryshëm, si dhe janë siguruar të gjitha provat materiale që subjektet në hetim kanë kryer në Shqipëri.

Ky hetim është shtrirë në 17 shtete (Shqipëri, Austri, Kroaci, Qipro, Çeki, Estoni, Gjermani, Hungari, Itali, Maltë, Hollandë, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni, Suedi dhe në Mbretërinë e Bashkuar), duke kryer më shumë se 180 kontrolle, si dhe janë arrestuar 14 shtetas. Më shumë se 680 hetues të ndryshëm janë angazhuar për të realizuar këto veprime hetimore.

Publikuar nga Publik Media