SPAK kthen makinën e rrëmbimit të Gerond Meçes, prapaskenat e forta
Çfarë zbuloi hetimi?
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur t’i rikthejë pronarit të ligjshëm automjetin tip “Land Rover Defender”, i cili u përdor në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe në gusht të vitit 2025.
Mjeti me targë “AC 121 JJ” i është dorëzuar Endrit Merkaj, pasi – sipas arsyetimit të prokurorit të çështjes, Bledar Maksutaj – nga verifikimet procedurale dhe këqyrja e kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk kanë rezultuar elementë me interes për vijimin e hetimit.
Në vendimin e datës 20 janar 2026, organi i akuzës vlerëson se automjeti nuk është më i domosdoshëm për t’u mbajtur si provë materiale dhe, për rrjedhojë, duhet t’i kthehet pronarit të tij të ligjshëm. Fillimisht, makina ishte konsideruar si send i përdorur në kryerjen e veprës penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” ndaj Gerond Meçes, por pas analizës teknike nuk u evidentuan të dhëna që do t’i shërbenin më tej hetimit.
Sipas gazetarit Elton Qyno, automjeti ishte përdorur më 12 gusht 2025 nga disa persona për të marrë peng biznesmenin, administrator i kompanisë “Advanced Business Solutions” (ABS). Meçe ka deklaruar se u dërgua në zonën e Gracenit dhe u vu nën presion psikologjik për të tërhequr ankesa lidhur me disa procedura tenderimi të depozituara në Komisionin e Prokurimeve Publike.
Makina ishte sekuestruar më 15 dhjetor 2025 në kuadër të hetimeve për të njëjtën vepër penale, në një procedim ku përfshihen edhe emrat e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, të shpallur në kërkim nga SPAK. Të dy kanë mohuar përfshirjen në urdhërimin apo organizimin e pengmarrjes.
Elton Qyno thekson më tej se dyshimet e prokurorisë ndaj Agasit lidhen me një kontratë shit-blerjeje të gjetur në vilën e tij në kompleksin “Panto” në Mullet të Tiranës. Dokumenti rezulton i nënshkruar mes një shtetaseje me mbiemrin Hoxhaj – e identifikuar si bashkëshortja e Endrit Merkaj – dhe biznesmenit të ndërtimit Arjan Ormenaj, i shpallur në kërkim që prej vitit 2024. Kjo kontratë është konsideruar nga hetuesit si element që mund të krijojë lidhje mes palëve dhe ngjarjes së 12 gushtit 2025.
Rrëmbimi i Gerond Meçes ndodhi në mes të Tiranës, në rrethana që, sipas përshkrimeve, nuk krijuan alarm të menjëhershëm. Më pas, biznesmeni është gjetur pranë rrethrrotullimit të vjetër të Bradasheshit, ku – sipas dëshmisë së tij – u ndihmua rastësisht nga një automjet i kompanisë së vet, me drejtues inxhinierin Jorgis Sollaku, i cili po kthehej nga një angazhim pune në Berat.
Në deklarimet para hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Meçe ka rrëfyer se pasi zbriti nga makina e personave që e mbanin peng, doli në rrugën nacionale dhe priti një mjet rasti. Pikërisht në atë moment kaloi automjeti i kompanisë së tij, i cili e transportoi drejt Tiranës, në zyrat pranë qendrës tregtare “Toptani”. Aty, sipas tij, mësoi se familjarët po përgatiteshin të bënin kallëzim, pasi kishin humbur kontaktet me të prej orës 15:00.
Pamjet filmike të siguruara nga kamerat e bizneseve përreth tregojnë katër persona të përfshirë në ngjarje. Ata shfaqen pa maska, vetëm me kapele, dhe fytyrat janë thuajse plotësisht të dallueshme. Megjithatë, identifikimi i tyre nuk është realizuar ende.
Mbetet e paqartë pse, pavarësisht ekzistencës së pamjeve të qarta filmike, autorët nuk janë identifikuar dhe arrestuar, duke ngritur pikëpyetje mbi vonesat në hetim dhe mbi mundësinë e mbrojtjes së tyre nga persona me ndikim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



