SPAK liron llogaritë e biznesmenëve nga Katari
Frika nga Arbitrazhi pezullon sekuestrot në projektin e Zvërnecit
Hetimet për tjetërsimin e pronave vijojnë/ Agjentët e BKH-së kontrolle ndaj administratorit Redi Struga, në shënjestër edhe Artur Shehu nga SHBA.
TIRANË – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur të tërhiqet pjesërisht nga masat shtrënguese financiare në zonën e Zvërnecit. Vetëm pak kohë pasi urdhëroi sekuestrimin e llogarive bankare të kompanive të lidhura me mega-investimin turistik në këtë zonë, SPAK ka vendosur zhbllokimin e tyre, ndonëse hetimet për tjetërsimin e pronave shtetërore vijojnë me intensitet të plotë.
Burime mediatike bëjnë me dije se vendimi për lirimin e llogarive bankare prek drejtpërdrejt kompanitë e vëllezërve Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat, biznesmenëve të njohur nga Katari, të cilët kanë planifikuar një projekt madhor turistik në bregdetin e Zvërnecit.
Frika nga Arbitrazhi Ndërkombëtar detyron SPAK-un të zmbrapset
Sipas të njëjtave burime, ky hap pas i organit të akuzës nuk lidhet me pafajësinë e subjekteve, por është një lëvizje strategjike për të shmangur pasoja të rënda ligjore dhe financiare për shtetin shqiptar. Prokurorët janë treguar të kujdesshëm për të mos bllokuar kapitalet e huaja, çka do të çonte automatikisht në një përballje të kushtueshme në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Kjo lëvizje vjen gjithashtu në një vijë logjike me qëndrimet e mbajtura më herët nga kryeministri Edi Rama, i cili kishte deklaruar publikisht se drejtësia duhet të bëjë punën e saj me çështjet e pronësisë, por pa u kthyer në pengesë për investimet e huaja strategjike në vend.
Hetimi vijon: Në “sitë” kompania “Albania Land Development” dhe Artur Shehu
Megjithatë, “paqja” financiare me investitorët nga Katari nuk nënkupton mbylljen e dosjes. SPAK po vijon verifikimet për të zbardhur skemën e dyshuar të kalimit të pronave shtetërore në duar private.
Në kuadër të këtij procedimi, nën sekuestro mbeten llogaritë e kompanisë shqiptare “Albania Land Development”. Po ashtu, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontrolle ndaj administratorit të kësaj kompanie, Redi Struga, duke sekuestruar materiale që mund t’i shërbejnë hetimit.
Në fokusin qendror të prokurorëve të posaçëm mbetet edhe emri i Artur Shehut. Ky i fundit, i cili jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dyshohet nga grupi hetimor si një nga personat kyç që ka pasur rol kryesor në procesin e pretenduar të tjetërsimit dhe falsifikimit të titujve të pronësisë në zonën bregdetare të Vlorës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



