E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK mbylli çështjen, Apeli e rihap: Eriselda Sefën nën hetim
Lajme

SPAK mbylli çështjen, Apeli e rihap: Eriselda Sefën nën hetim

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar vendimin për pushimin e hetimeve ndaj kryebashkiakes së Lushnjës, Eriselda Sefa, dhe ka urdhëruar SPAK-un të nisë procedurat hetimore. Vendimi vjen pas ankesës së një qytetari, i cili e akuzon zyrtaren për falsifikim dokumentesh dhe pengim të zbardhjes së të vërtetës.

Megjithëse SPAK kishte vendosur më herët mbylljen e çështjes – një vendim i mbështetur edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë – qytetari me inicialet A.H. ka vijuar betejën ligjore në Apel, duke argumentuar se veprimet e kryera nga Sefa dhe Këshilli Bashkiak për dhënien me qira të një prone publike në qendër të qytetit janë të kundërligjshme.

Sipas kallëzuesit, në dokumentacionin përkatës janë evidentuar parregullsi, përfshirë dyshime për falsifikim të procesverbaleve dhe dokumenteve zyrtare, ndërsa përmendet edhe një mungesë transparence në procedurat e ndjekura për miratimin e qirasë së një ambienti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”.

Një tjetër aspekt i kallëzimit lidhet me përgjigjen e kryebashkiakes ndaj kërkesës së SPAK për të dorëzuar dokumentacionin e plotë të çështjes. Sipas ankuesit, materialet janë dorëzuar të pjesshme, me qëllim të moszbardhjes së fakteve, duke e rënduar më tej situatën ligjore të Sefës.

Apeli ka vlerësuar se ka vend për hetim të mëtejshëm dhe ka ngarkuar SPAK-un me ndjekjen e rastit.

Njoftimi i gjykatës: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, më datë 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 02.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e shtetasit A.H., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shfuqizimin e vendimit të mosfillimit të procedimit penal datë 24.04.2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me kallëzimin penal nr. 81, datë 14.04.2025” dhe vendosi:

– Ndryshimin e vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar ankimin e ankuesit A.H. dhe duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryeje hetime.

– Një kopje e vendimit t’iu komunikohet palëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.