SPAK merr të pandehur ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi
Një tjetër ish-zyrtar i lartë vendor përballet me drejtësinë, teksa Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi, nën akuzën për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve të kryera nga prokurori Elvin Gokaj, çështja tashmë i është referuar Gjykatës së Posaçme, ku pritet të hidhet shorti për caktimin e gjyqtarit që do të shqyrtojë seancën paraprake.
Në të njëjtin procedim penal janë përfshirë edhe disa ish-zyrtarë dhe persona të tjerë, konkretisht Andi Bullari, Ledio Xharo dhe Dorian Spaho, të cilët akuzohen për të njëjtën vepër penale.
Nga të dhënat e administruara gjatë hetimit rezulton se zyrtarët e Bashkisë Divjakë dyshohet se kanë ndërmarrë veprime në kundërshtim me ligjin gjatë procedurës së dhënies me qira të disa pronave publike. Këto pasuri janë përdorur për ndërtimin e impianteve diellore, me një afat shfrytëzimi prej 10 vitesh.
Ndërkohë, sipas dokumentacionit zyrtar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, këto prona rezultonin të regjistruara si tokë bujqësore, çka ngre dyshime të forta për shkelje ligjore në mënyrën e përdorimit dhe destinacionit të tyre.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur SPAK po intensifikon hetimet ndaj zyrtarëve publikë, duke synuar goditjen e rasteve të abuzimit me detyrën dhe menaxhimin e pasurive publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



