SPAK nxjerr bllof Berishën: Fletëthirrjet janë refuzuar dy herë
SPAK ka reaguar zyrtarisht pasi ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjet e 21 janarit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, fletëthirrja e parë e dërguar më 3 nëntor është refuzuar në hyrjen e rezidencës së Berishës, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Ndërkohë, edhe dy fletëthirrjet e tjera të datës 7 nëntor nuk janë pranuar, as në banesë dhe as nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike në Kuvend, ku është tentuar dorëzimi zyrtar.
SPAK thekson se procedura e njoftimit është ndjekur sipas ligjit, ndërsa Berisha vijon të refuzojë dorëzimin e dokumenteve, duke deklaruar se nuk është vënë në dijeni për thirrjen.
Reagimi i plotë:
Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë si vijon: Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).
Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin:
“Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025.
Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit:
[email protected], më datë 10.11.2025.
Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi”, shkruan në reagimin e saj për mediat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



