SPAK reagon zyrtarisht për arrestimin e Ergys Agasit dhe Uljan Shpatarakut
SPAK ka dalë me njoftim zyrtar për arrestimin e Ergys Agasit dhe ish-punonjësit të Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, arrestimi i Agasit u krye më 26 gusht 2026, në hyrjen jugore të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit, ai shoqërohej nga Uljan Shpataraku, i cili u arrestua në flagrancë.
SPAK bën me dije se Shpataraku akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
“Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Për çfarë hetohet Ergys Agasi?
SPAK sqaron se hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025 vijojnë dhe se emri i Ergys Agasit është regjistruar në këtë procedim më 5 dhjetor 2025.
Sipas organit të akuzës, Agasi po hetohet për një sërë veprash penale, ndër të cilat:
- Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës
- Heqje e paligjshme e lirisë
- Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
- Grup i strukturuar kriminal
- Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal
- Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
- Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Për Agasin, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar më 15 dhjetor 2025 masën e sigurisë “arrest në burg”, me vendimin nr. 125.
Vendimi i gjykatës, sipas SPAK, i është dërguar për ekzekutim Policisë së Shtetit më 17 dhjetor 2025.
Operacioni pas disa muajsh në kërkim
Arrestimi i Agasit erdhi pas disa javësh pune të përbashkët mes SPAK, strukturave operacionale të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
SPAK ka falënderuar Policinë e Shtetit për operacionin, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.
Tashmë pritet që të zbardhen edhe rrethanat e plota që çuan në arrestimin e Agasit dhe roli që dyshohet se ka pasur ish-efektivi Uljan Shpataraku në këtë çështje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



