SPAK rihap dosjen ‘përvëluese’ të IPARD, merret në pyetje i besuari i Krifcës
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka riaktivizuar hetimet për skandalin e fondeve IPARD, duke marrë në pyetje persona që dyshohet se kanë pasur rol në administrimin dhe menaxhimin e këtyre fondeve.
Sipas burimeve, në fokus të hetimit është marrë në pyetje Reni Ashiku, i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-ministres së Bujqësisë Frida Krifca. Ashiku është administrator i kompanisë Converse Management Consulting (CMC), një subjekt që ka qenë i përfshirë në projekte të lidhura me fondet IPARD.
Hetimi lidhet me dyshimet për abuzim me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë, pas kallëzimit të bërë nga OLAF, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit. Kjo zyrë kishte ngritur dyshime për shkelje në mënyrën se si janë menaxhuar fondet e programit IPARD në Shqipëri.
Burime nga hetimi thonë se Ashiku dyshohet të ketë pasur një rol të rëndësishëm në skemën e dyshuar të abuzimit. Pas rekomandimit të OLAF, Bashkimi Europian vendosi të ndërpresë qindra miliona euro ndihma për fermerët shqiptarë nga programi IPARD III. Vendimi erdhi pas dyshimeve për parregullsi në Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, institucion që drejtohej nga Krifca para se të merrte postin e ministres.
Në qershor të vitit 2021, Komisioni Europian, përmes OLAF, i dërgoi një kallëzim penal SPAK-ut, si edhe një raport zyrtar kryeministrit Edi Rama, ku ngriheshin akuza për abuzime me fondet IPARD II të destinuara për fermerët shqiptarë.
Megjithatë, në vend që të ndërmerreshin masa administrative apo hetimore të menjëhershme, Krifca u emërua ministre e Bujqësisë, një vendim që shkaktoi reagime të forta nga Brukseli. Qeveria shqiptare premtoi bashkëpunim me OLAF dhe verifikim të situatës, por sipas kritikëve nuk u ndërmorën hapa konkretë në atë kohë.
Në vitin 2022, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura, Krifca u autorizua të firmoste marrëveshjen për programin IPARD III me Komisionin Europian, duke marrë edhe rolin e zyrtares kombëtare përgjegjëse për administrimin e këtyre fondeve. Ky zhvillim shkaktoi reagime brenda institucioneve europiane dhe më pas fondet e IPARD III për Shqipërinë u pezulluan që nga viti 2023.
Pas bllokimit të fondeve, Edi Rama largoi Krifcën nga posti i ministres, por ajo u emërua këshilltare për fondet e Bashkimit Europian pranë Kryeministrisë, një lëvizje që u interpretua nga disa si një sinjal sfidues ndaj kritikave që vinin nga Brukseli.
Ndërkohë, në korrik të vitit 2025, qeveria shqiptare shpalli një tender për auditimin e fondeve të dyshuara të zhdukura nga AZHBR. Tenderi u fitua nga një kompani gjermane e përzgjedhur nga ministri Petrit Malaj, për të cilin burime të ndryshme kanë përmendur lidhje të mëparshme biznesi me drejtuesit e kësaj kompanie.
Komisioni Europian ka bërë të qartë se marrëveshja për fondet IPARD III do të mbetet e pezulluar për Shqipërinë, për shkak të mungesës së transparencës dhe mosndëshkimit të zyrtarëve që dyshohet se kanë qenë përgjegjës për abuzimet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



