E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK zbulon dinamikën si u vra Renis Dobra
Lajme

SPAK zbulon dinamikën si u vra Renis Dobra

Çon për gjykim dosjen për vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Çakrajn

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për një prej ngjarjeve të rënda të korrikut 2025 në Burrel dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e katër personave të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës.

Në dosjen e depozituar në GJKKO, SPAK i atribuon Fation Bushgjokajt, Petrit Hoxhës, i njohur edhe si Çakraj, si dhe vëllezërve Kristë dhe Aleksandër Bushgjokaj, një seri veprimesh të koordinuara që, sipas hetimit, kanë pasur si qëllim rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R.D., ngjarje e regjistruar më 8 korrik 2025.

Të katër personat janë marrë të pandehur për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, në formën e bashkëpunimit si grup i strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 109/3, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal.

Si u ndoq Renis Dobra në Burrel

Sipas hetimit të SPAK, lëvizjet e personave të dyshuar janë rindërtuar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, të dhënave GPS të automjeteve të marra me qira, tabulateve telefonike dhe provave të tjera të administruara gjatë procedimit.

Hetuesit kanë dokumentuar lëvizjen e automjeteve në qytetin e Burrelit dhe përgjatë aksit Klos–Zenisht, ku, sipas akuzës, personat e përfshirë kanë qenë në kërkim të R.D.

Pranë zonës së njohur si “Ura e Matit”, viktima është konstatuar duke lëvizur me një automjet Benz. Sipas SPAK, ai është ndjekur nga një Hyundai Santa Fe, ku ndodheshin Petrit Hoxha (Çakraj) dhe Kristë Bushgjokaj.

Në të njëjtën kohë, sipas rezultateve të hetimit, Fation Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj ndodheshin në një automjet tjetër, tip Range Rover. Dyshohet se Hoxha dhe Kristë Bushgjokaj kanë sinjalizuar personat që ndodheshin në automjetin tjetër për lëvizjet e R.D.

Bllokimi i automjetit dhe rrëmbimi

Ndjekja ka vijuar deri në zonën e “Kroit të Suçit”. Rreth orës 21:58, sipas provave të administruara nga SPAK, automjeti Range Rover ka bllokuar rrugën e Benz-it me të cilin lëvizte R.D.

Në vijim, sipas hetimit, R.D. është nxjerrë me forcë nga automjeti i tij dhe është futur në Range Rover nën përdorimin e dhunës.

Pas rrëmbimit, tre automjetet kanë vijuar lëvizjen në të njëjtin drejtim, duke kaluar nga Burreli drejt zonave të Ulzës dhe Shkopetit.

SPAK pretendon se gjatë kësaj faze viktima është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja. Për këtë pjesë të ngjarjes, prokuroria i referohet edhe aktit të ekspertimit mjeko-ligjor.

Trupi u hodh në ujërat e liqenit të Ulzës

Sipas dosjes hetimore, pas vrasjes, automjeti i R.D., bashkë me trupin e tij, është hedhur në drejtim të ujërave të liqenit të Ulzës.

Sipas SPAK, veprimi dyshohet se është kryer me synim fshehjen e ngjarjes dhe zhdukjen e gjurmëve të viktimës.

Për të rindërtuar itinerarin dhe veprimet e personave nën hetim, janë analizuar pamjet e kamerave pranë zonave të lëvizjes, të dhënat GPS të automjeteve, tabulatet telefonike, si dhe informacionet e nxjerra nga pajisjet telefonike të personave të hetuar.

SPAK: Plani ishte i strukturuar dhe i koordinuar

Në përfundim të hetimit, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se rrëmbimi dhe vrasja e R.D. nuk kanë qenë një veprim i rastësishëm, por pjesë e një plani të organizuar.

Sipas SPAK, provat e mbledhura gjatë hetimit tregojnë për veprime të koordinuara ndërmjet katër të pandehurve dhe përdorimin e disa automjeteve për lokalizimin, ndjekjen, bllokimin dhe më pas largimin e viktimës.

Pikërisht për këtë arsye, prokuroria e ka konsideruar veprimtarinë si të kryer në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal dhe tashmë i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme të vijojë me shqyrtimin gjyqësor të çështjes.

Çështja pritet të kalojë tashmë në fazën e gjykimit, ku provat e administruara nga SPAK dhe pretendimet e akuzës do t’i nënshtrohen vlerësimit të Gjykatës së Posaçme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.