SPAK zgjat me 3 muaj afatet e hetimit per Belinda Ballukun
Prokuroria e Posaçme ka vendosur të zgjasë me tre muaj të tjerë afatin e hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është nën hetim për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe shkeljen e barazisë në tendera në disa episode të ndara.
Sipas burimeve pranë organit të akuzës, vendimi për shtyrjen e afateve është marrë për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe numrit të lartë të procedurave tenderuese që janë në proces verifikimi. Po ashtu, mësohet se në kuadër të hetimeve janë thirrur për t’u paraqitur ish-drejtori i KESH, Erald Elezi, si dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, të konsideruar si persona të afërt me Ballukun, të cilëve pritet t’u komunikohet vendimi për zgjatjen e hetimeve.
Ish-ministrja e Infrastrukturës është aktualisht e pandehur për çështjen e tenderit të tunelit të Llogarasë, ndërkohë që hetimet janë shtrirë edhe mbi disa lote të Unazës së Madhe të Tiranës. Ndërkohë, ndaj saj janë shtuar edhe dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.
Në vijim të këtyre hetimeve, autoritetet kanë ndërmarrë edhe masa pasurore, duke sekuestruar një vilë luksoze në Dhërmi, e cila dyshohet se është përfituar në mënyrë të paligjshme gjatë kohës që ajo ushtronte funksione drejtuese në Albcontrol.
Aktualisht, ndaj Ballukut janë në fuqi dy masa sigurie: ndalimi për të dalë jashtë vendit dhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës. Ndërkohë, kërkesa e mëparshme e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e saj nuk u miratua nga Kuvendi. Mbetet ende e paqartë nëse organi i akuzës do t’i drejtohet sërish Parlamentit me një kërkesë të re për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



