SPAK zgjeron hetimet për Veliajn, në fokus vëllai dhe Ajola Xoxa
Hetimet e SPAK për dosjen “Veliaj 2” po marrin përmasa më të gjera, ndërsa në fokus të prokurorëve nuk është vetëm aktiviteti i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, por edhe kompani dhe persona të lidhur me rrethin e tij familjar e profesional.
Një nga pistat kryesore që po verifikohet lidhet me kompaninë “Gogel”, në pronësi të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut. Sipas të dhënave të bëra publike, SPAK po analizon nëse kompania ka përfituar favore apo avantazhe indirekte për shkak të funksionit publik të Erion Veliajt, si dhe nëse klientë apo partnerë të saj kanë pasur interesa të lidhura me Bashkinë e Tiranës.
Hetuesit po shqyrtojnë me vëmendje edhe lidhjet financiare dhe juridike mes kompanisë së Arbër Veliajt dhe subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën. Në fokus të verifikimeve janë kontratat, bashkëpunimet dhe natyra e marrëdhënieve ekonomike mes palëve.
Burime për mediat pranë organit të akuzës bëjnë me dije se hetimet vijojnë paralelisht në disa drejtime dhe se deri në këtë fazë nuk ka ende një përfundim zyrtar mbi çështjen. Megjithatë, fokusi kryesor mbetet raporti mes funksionit publik dhe përfitimeve të mundshme që mund të kenë marrë persona apo kompani pranë kryebashkiakut.
Në kuadër të dosjes janë marrë në pyetje zyrtarë, financierë, ekonomistë dhe biznesmenë, ndërsa hetuesit kanë administruar kontrata, dokumente financiare dhe pajisje celulare që mund të ndihmojnë në zbardhjen e marrëdhënieve të dyshuara.
Mes personave të pyetur rezulton edhe deputetja Klotilda Bushka. Ndërkohë, SPAK po vijon analizën e materialeve të sekuestruara për të verifikuar nëse ekzistojnë elementë që mund të provojnë favorizime apo përfitime të paligjshme.
Dosja “Veliaj 2” konsiderohet një nga hetimet më sensitive dhe më të ndjekura të momentit, ndërsa pritet që në javët në vijim të ketë zhvillime të reja lidhur me ecurinë e saj dhe personat që mund të përfshihen në hetim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



