Spiropali: E tronditur nga glorifikimi i vrasësit të gjyqtarit
Gjyqtarët shërbëtorë të shtetit
Publik.al | 8 Tetor 2025
Në një reagim pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka publikuar një shënim që ka ngjallur debat të gjerë. Ajo shprehet e tronditur nga komentet dhe reagimet “e neveritshme” që kanë qarkulluar në rrjetet sociale pas ngjarjes tragjike në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Spiropali shkruan se është “e indinjuar nga tentativa për të justifikuar vrasësin”, duke e cilësuar të papranueshme glorifikimin që një pjesë e qytetarëve i kanë bërë autorit të krimit, Elvis Shkambi, në rrjetet sociale. Sipas saj, “ata që e justifikojnë ose e ngrenë në piedestal një vrasës, nuk janë fytyra e Shqipërisë”.
Megjithatë, pjesa përfundimtare e reagimit të saj ka shkaktuar reagime të forta në qarqet juridike. Ministrja e përmbyll shkrimin duke deklaruar se “gjyqtarët dhe prokurorët janë shërbëtorë të shtetit shqiptar”, një frazë që është interpretuar si përpjekje për t’i vendosur nën tutelën e pushtetit ekzekutiv.
Kritikët e kanë cilësuar reagimin e Spiropalit si retorikë të rrezikshme që minon pavarësinë e drejtësisë, ndërsa të tjerë e shohin si përpjekje për të devijuar vëmendjen nga dështimi i shtetit për të garantuar sigurinë në gjykata.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



