E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tabaku ‘gozhdon’ ministrin Malaj: Gënjeshtar, ke injorancë ligjore
Lajme

Tabaku ‘gozhdon’ ministrin Malaj: Gënjeshtar, ke injorancë ligjore

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, u përplasën ashpër në Kuvend pas kërkesës së Tabakut për informacion lidhur me përfituesit e ligjit për shlyerjen e borxheve. Tabaku deklaroi se ministrisë i ka dërguar katër shkresa brenda një muaji, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Malaj reagoi menjëherë duke e akuzuar deputeten se po shpërndante të pavërteta, pasi – sipas tij – kërkesa ka mbërritur në ministri vetëm një javë më parë. Përveç kësaj, ai i kujtoi se informacioni i kërkuar bie ndesh me ligjin për procedurat tatimore. Këmbimi i replikave u ashpërsua, me Tabakun që e akuzoi ministrin jo vetëm për gënjeshtër, por edhe për “injorancë ligjore”.

Replikat në Kuvend

Jorida Tabaku:
“Sipas nenit 80 të Kushtetutës, drejtuesit e institucioneve shtetërore janë të detyruar të japin shpjegime me kërkesë të deputetëve. Prej një muaji i kam dërguar ministrit të Financave disa shkresa për të bërë transparencë mbi përfituesit e ligjit të shlyerjes së borxheve, si edhe për amnistinë fiskale. Transparencë nuk ka ardhur nga askund. Ministri ka detyrimin kushtetues të sqarojë nëse përfitues janë koncesionarë, kompani që marrin tendera apo subjekte të SPAK. Kam dërguar jo një, por katër shkresa, dhe nuk kam marrë përgjigje as nga Tatimet dhe as nga Doganat. I kërkoj ministrit të japë informacion përpara se të votojmë nen për nen, sepse pa transparencë nuk mund të procedojmë.”

Petrit Malaj:
“E kam të vështirë të kuptoj se si mund të gënjeni publikisht duke thënë se keni dërguar katër shkresa dhe se ka një muaj që i keni nisur, kur në fakt kërkesa ka mbërritur vetëm një javë më parë. Ju lutem mos gënjeni. Si ligjvënëse me eksperiencë duhet të dini se kërkesa juaj bie ndesh me legjislacionin tjetër, sidomos me ligjin për procedurat tatimore. Informacioni që kërkoni është i ndjeshëm dhe nuk mund të shpërndahet pa konsensusin e vetë debitorit. Sa i përket numrit të përfituesve të detyrimeve tatimore dhe doganore, e kam sqaruar: janë 202 mijë subjekte.”

Jorida Tabaku:
“Zoti ministër, të gënjesh kaq hapur është e rëndë, por të tregosh edhe kaq injorancë ligjore, këtë nuk e kuptoj dot.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.