E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tabaku: Mërtiri dhe bashkëjetuesja, Stela Gugallja, vodhën 430 milionë euro
Publik News

Tabaku: Mërtiri dhe bashkëjetuesja, Stela Gugallja, vodhën 430 milionë euro

Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku, prezantoi dje raportin prej 120 faqesh mbi gjetjet e opozitës në atë që ajo e konsideron si afera e 430 milionë eurove.

Në prezantimin e këtij raporti, Tabaku bëri me dije se anëtarët e opozitës kanë administruar prova të rëndësishme nga QKB, që vërtetojnë se i shpalluri në kërkim ndërkombëtar, Mirel Mërtiri, është kryepronari i 3 inceneratorëve. Sipas kryetares së komisionit, pronarja tjetër, Stela Gugallja, është bashkëjetuesja e Mërtirit, ndërsa Klodian Zoto është vartësi i tij.

Tabaku u shpreh se gjatë hetimit ishte vërtetuar se institucionet përgjegjëse kishin shkelur ligjet në fuqi në dhënien e tri kontratave koncesionare dhe se përfituesit e tyre kishin krijuar skema korruptive dhe pastrimi parash.

Nënkryetarja e PD-së deklaroi se “dëshmitari Edi Rama, në funksionin e Kryeministrit, ka gënjyer për shpalljen e emergjencës dhe se 430 mln euro janë dhënë me supozimin që është shpallur një emergjencë”.

“Mbas analizës së një dokumenti me 385 faqe të dorëzuar në këtë komision nga QKB-ja, është vërtetuar se pronarët e inceneratorëve janë 3: Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe në pak raste Mirel Mërtiri. Por kryepronari i vërtetë i këtyre inceneratorëve është Mirel Mërtiri, shtetasi Klodian Zoto vartësi i tij, ndërkohë Stela Gugallja, bashkëjetuesja e tij, të cilët kanë menaxhuar tri kontrata prej 430 milionë eurosh.

Duke u përpjekur dhe fshehur pas kompanive holandeze, kompanive italiane dhe pas një kompanie malteze. Gjithmonë është i njëjti person që shfaqet, Mirel Mërtiri. Një person me të shkuar të dyshimtë dhe pa sukses në sipërmarrjet e tij, papritur është bërë personi kyç në një nga bizneset më fitimprurëse.

Ai pati idenë brilante për t’i propozuar ministrit Lefter Koka ndërtimin e 3 inceneratorëve. Të gjitha institucionet u vunë në dispozicion të tij për të implementuar gjetjen e shekullit që shumë vende e kanë ndaluar ta përdorin”, tha Tabaku.

Nënkryetarja e PD-së i bëri thirrje SPAK-ut për të marrë raportin.

“Lexojeni me vëmendje. Zbardhni ato pjesë që ky komision është penguar për të hetuar e dërgoni para drejtësisë të gjithë zinxhirin e gjatë të funksionarëve. Sytë e shqiptarëve janë sot drejt organeve të reja të drejtësisë. Sot drejtësia ka në dorë ta zbardhë këtë aferë, mosveprimi i tyre do t’i bëjë ato pjesë të kësaj afere kriminale”, tha Tabaku.

SKEMA

Kryetarja e Komisionit të Inceneratorëve, Jorida Tabaku, deklaroi dje se nga analizimi i të dhënave rezulton që kompanitë koncesionare të inceneratorëve kanë përdorur tri mënyra për të qarkulluar paratë e buxhetit të shtetit, duke krijuar një skemë të madhe piramidale dhe evazioni fiskal, me qëllim përfitime të paligjshme.

“Sëpari, kompanitë e inceneratorëve kanë përdorur buxhetin e shtetit për të tërhequr paradhënie shumicën e shumës së premtuar në formën e paradhënies dhe më tej ato kanë zhdoganuar mallra më pak se sa ajo e zotuar në kontrata. Së dyti, është mënyra përmes së cilës ato kanë vepruar, ajo e krijimit të transfertave të parave jashtë vendit. Duke krijuar kështu mundësinë që paratë e buxhetit shqiptar të dalin jashtë territorit të vendit pa përfunduar punën.

Së treti, është mënyra e krijimit të një miksi mes sajimit të kompanive fiktive me fatura të TVSH-së dhe gjithashtu transferimi i parave në kompaninë ITS, e cila është përdorur si një kompani guaskë, përmes së cilës janë shpërndarë paratë në të tjera kompani. Fillesa e kësaj ndihme ndodh me krijimin e Komitetit Ndërministror për Menaxhimin e Mbetjeve në fund të vitit 2013, që më tej u shoqërua me një mbledhje me mungesë kuorumi, ku u miratua një dokument pa asnjë vlerë, që u konsiderua si Vendim i Komitetit Teknik.

Ky komitet u mblodh në 5 shkurt, pa pasur kuorumin e nevojshëm prej më së paku 11 anëtarësh dhe më tej u firmos nga 3 prej 5 anëtarëve të pranishëm. E gjithë kjo skemë më pas shtyu serinë e veprimeve të institucioneve lokale dhe qendrore për të ndërtuar një skemë korruptive”, tha Tabaku.

Raporti, Felaj: Opozita nuk provoi akuzat ndaj qeverisë për korrupsion

Nënkryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Ermonela Felaj, prezantoi raportin e përmbledhur të maxhorancës mbi rezultatet që prodhoi ky komision hetimor, të cilin e cilësoi si kompleks.

Gjatë fjalës në mbledhjen e fundit të komisionit, deputetja e PS-së mbrojti procedurat për dhënien me koncesion të inceneratorëve, duke e cilësuar tërësinë e akteve të ndërmarra si të bazuara në ligj. Sipas saj, koncesionet për ndërtimin e inceneratorëve u dhanë pas shpalljes së emergjencës mjedisore.

“Ne anëtarët e maxhorancës sot kemi gati raportin mbi gjetjet gjatë këtij komisioni hetimor. Ky komision synonte nxjerrjen e përgjegjësive institucionale. Deri në vitin 2013, situata në vendin tonë ishte katastrofike. Ndërtimi i impianteve të trajtimit të mbetjeve filloi kur venddepozitimet ekzistuese kishin mbaruar de facto funksionalitetin e tyre. Ky moment përcaktoi edhe shpalljen e emergjencës mjedisore vend. Të dyja VKM-të kanë qenë të bazuara në ligj. E gjithë procedura në tërësinë e akteve ka qenë e ligjshme. Komisioni bëri shkelje procedurale dhe përmbajtjesore në mbledhjen e informacionit dhe pyetjen e dëshmitarëve”, tha Felaj.

Për sa i përket inceneratorit të Elbasanit, Felaj u shpreh se ai ka prodhuar energji dhe socialistët kanë përfshirë në raport një kërkesë nga koncensionarë drejtuar OSHEE-së për futjen e energjisë në rrjet. Për arrestimin e ish-ministrit të PS-së, i arrestuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, Felaj tha se:

“Nuk do komentojmë veprimet e Autoritetit Kontraktor, pasi po hetohet nga drejtësia, por nuk bëjmë avokatinë e askujt. E kemi të qartë përgjegjësinë individuale dhe kolektive”.

Për nënkryetaren e komisionit: “Në lidhje me procedurën koncesionare të Elbasanit, nga ana e kërkuesve të këtij komisioni, është pretenduar që impianti i incenerimit nuk funksionon. Ne në komision kemi administruar një shkresë, përmbajtja e së cilës nuk është arritur të kontestohet me prova të tjera. Është një shkresë e OSHEE-së, në të cilën konfirmohet se për inceneratorin e Elbasanit, ju bëjmë me dije se shoqëria ‘Albetk Energy’ ka aplikuar pranë OSHEE-së për lidhje të burimit gjenerues me rrjetin shpërndarës të OSHEE-së që në gusht të vitit 2016. Në prill të vitit 2017 është instaluar në objekt matësi i energjisë. Në 06.06.2017 shoqëria ka njoftuar OSHEE-në se do të kalojë në regjim dhënie energjie. Deri më datë 8 nëntor ky subjekt ka njoftuar se ka injektuar në rrjetin shpërndarës të energjsë sasinë mbi 6 mijë megavate energji elektrike”, tha Felaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.