E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tatimet zbulojnë 5.4 mln euro evazion fiskal te agjencitë imobiliare
Lajme

Tatimet zbulojnë 5.4 mln euro evazion fiskal te agjencitë imobiliare

Administrata Tatimore ka finalizuar një tjetër rast konkret në kuadër të hetimeve ndaj agjencive imobiliare, duke vijuar aksionin kundër evazionit fiskal në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.

Sipas të dhënave zyrtare, nga kontrollet dhe analizat financiare të kryera, janë identifikuar rreth 5.4 milionë euro të ardhura të padeklaruara. Këto shuma dyshohet se lidhen kryesisht me komisionet e përfituara nga agjencitë gjatë ndërmjetësimit në transaksionet e shitblerjes së pronave.

Ky është rasti i dytë që bëhet publik nga Administrata Tatimore në këtë sektor, pas nisjes së një fushate më të gjerë hetimore ndaj subjekteve që operojnë në tregun imobiliar. Në fokus të kontrolleve janë veçanërisht të ardhurat nga komisionet, të cilat në shumë raste nuk pasqyrohen plotësisht në deklarimet fiskale.

Institucioni bën të ditur se verifikimet dhe hetimet do të vijojnë për çdo subjekt që tenton të fshehë të ardhurat dhe të shmangë detyrimet ndaj shtetit. Paralelisht, theksohet gatishmëria për bashkëpunim me tatimpaguesit, me qëllim formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e transparencës në treg.

Sipas Administratës Tatimore, objektivi kryesor mbetet garantimi i konkurrencës së ndershme dhe goditja e praktikave abuzive, ku të ardhurat realizohen në praktikë, por nuk reflektohen në mënyrë të saktë në sistemin fiskal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.