Të enjten “rrethohet” Kuvendi, zbulohet lëvizja e Ramës e Berishë
Raporti i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale nuk do të shqyrtohet në seancën plenare të së enjtes, pasi është hequr nga rendi i ditës i publikuar nga Kuvendi. Zhvillimi vjen në një moment kur jashtë Parlamentit janë paralajmëruar protesta të reja qytetare, të cilat pritet të zhvillohen pikërisht përpara godinës së Kuvendit.
Pas më shumë se 50 ditësh protesta në Tiranë, organizatorët kanë njoftuar se do ta zhvendosin aksionin e tyre përpara Parlamentit. Mes kërkesave kryesore të protestuesve janë anulimi i Reformës Territoriale, shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”, për të cilat ata pretendojnë se favorizojnë investitorët strategjikë.
Megjithëse më herët ishte paralajmëruar se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të paraqisnin raportet dhe analizat e tyre mbi reformën e vitit 2014, dokumenti nuk figuron më në axhendën e seancës plenare.
Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale i përfundoi mandati më 15 korrik, ndërsa deri tani asnjë prej raporteve nuk është shqyrtuar apo miratuar në komision, procedurë që parashikohet nga Rregullorja e Kuvendit përpara se dokumenti të kalojë në seancë plenare.
Paraditen e së enjtes pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të vendosë kalendarin e punimeve për periudhën 27–31 korrik. Në këtë mbledhje pritet të vendoset edhe nëse do të zhvillohet një tjetër seancë plenare, ku mund të përfshihet raporti për Reformën Territoriale, së bashku me ratifikimin e një marrëveshjeje në fushën e mbrojtjes.
Sipas burimeve parlamentare, 27 korriku shihet si data më e mundshme për shqyrtimin e raportit, në rast se Konferenca e Kryetarëve vendos zhvillimin e një seance të re.
Nga ana e saj, Partia Socialiste ka bërë të ditur se, krahas analizës së reformës territoriale të vitit 2014, do të paraqesë edhe propozimin për një hartë të re të ndarjes administrative. Ndërkohë, Partia Demokratike pritet të dorëzojë vetëm analizën e reformës ekzistuese, pa propozuar një hartë të re territoriale.
Sipas Rregullores së Kuvendit, raporti duhet fillimisht të shqyrtohet dhe të miratohet nga komisioni përkatës, përpara se të kalojë për debat dhe votim në seancë plenare.
Shtyrja e shqyrtimit të raportit vjen në një klimë të tensionuar politike, teksa protestuesit kanë paralajmëruar se do të intensifikojnë aksionin e tyre përpara Kuvendit, duke e vendosur Reformën Territoriale mes kërkesave kryesore drejtuar mazhorancës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



