E diel, 25 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Të gjithë jemi qorruar përballë verbërisë së një të lajthituri për pushtet
OP-ED

Të gjithë jemi qorruar përballë verbërisë së një të lajthituri për pushtet

Erjon Vishkulli është 28 vjeç. Është kryetifozi i Kombëtares, djali që këndon për flamurin në çdo stadium ku luan Shqipëria. Një ditë më parë kishte ndihmuar një protestues në hall. Të nesërmen një plumb gome i shpërtheu syrin e majtë, në mes të Tiranës, në protestën studentore. Mjekët e futën në sallë operacioni dhe, sipas raportimeve, e ka humbur përgjithmonë shikimin në atë sy.

Erjoni nuk ishte terrorist. Nuk mbante armë. Mbante flamurin kuq e zi, të njëjtin flamur që Edi Rama e mban në zyrë kur pret njerëzit e Sinaloas dhe Yeffetin. Por sytë e të rinjve që protestojnë qenkan çmimi që ky pushtet është gati të paguajë për të mbetur në kolltuk.

Plumbi që goditi Erjonin nuk erdhi nga hiçi. Ai është kapitulli i fundit i një historie të gjatë, ku pushteti, për pushtetarë të çmendur, nuk është mjet për të qeverisur vendin, por qëllim në vetvete, me çdo kosto.

Kjo histori nisi që kur erdhi në pushtet me bandat, hajdutët dhe kriminelët. U desh “Ligji i Dekriminalizimit”, i mbështetur fort nga Ambasada Amerikane, që të nxirreshin nga Kuvendi dhe nga bashkitë njerëz me dosje penale, të dokumentuar edhe nga policitë e Bashkimit Europian, njerëz që i futi dhe i përdori Edi Rama. Ishte vetë dora e Edi Ramës që e futi konglomeratin e bandave dhe të kriminelëve në listat e deputetëve dhe u dha pushtet?!

Pastaj kapi Bankën e Shqipërisë. Ndër veprimet e para të pushtetit të ri ishte ndërrimi i guvernatorit, i cili përfundoi i arrestuar. Banka Qendrore kontrollon sistemin bankar dhe këmbimet valutore. Kush e kontrollon atë, kontrollon edhe rrugët nga lëvizin paratë e pista të këtij vendi.

Pastaj erdhi viti 2016, viti kur Shqipëria, me ministrin Saimir Tahiri, u kthye në plantacion hashashi nga veriu në jug. Miliona e miliona euro qarkulluan nëpër fshatra, bashki dhe xhepa që askush nuk i hetoi deri në fund. Ndërkohë, i njëjti njeri u thoshte shqiptarëve se “Lazarati u çlirua”.

Sot jemi në një nivel tjetër. Përgjimet e dala publikisht kanë ngritur pyetje të rënda për lidhjet e pushtetit me grupe të fuqishme në ndërtim dhe në industrinë e armatimit. Për këto pyetje kryeministri nuk ka dhënë kurrë përgjigje bindëse, veç sharjeve ndaj gazetarëve që i bëjnë.

Kur e lidh këtë zinxhir, plumbi në syrin e Erjon Vishkullit nuk duket aksident. Duket logjikë. Një pushtet që, për t’u ngritur, nuk pati turp nga emrat në lista, që, për t’u mbajtur, nuk pati turp nga hashashi dhe nga paratë e pista, nuk do të ketë turp as nga gjaku i të rinjve në shesh.

E pyetja që duhet të na tmerrojë të gjithëve është kjo: ku ndalet? Sot janë shkopinjtë, gazi dhe plumbat e gomës. Sot është një sy i humbur. Çfarë do të jetë nesër, kur 2500 eurot e shpërblimit nuk do të mjaftojnë më për të frikësuar një brez që nuk ka më çfarë të humbasë?

Erjoni humbi shikimin në një sy. Por ne, të tjerët, jemi verbuar prej kohësh si qytetarë. Jemi qorruar kur pamë kriminelët në Kuvend dhe heshtëm. Kur pamë Shqipërinë jeshile nga hashashi dhe u bëmë sikur s’e pamë. Kur pamë tenderët, inceneratorët dhe pallatet që rriten si kërpudha dhe e quajtëm “zhvillim”.

Sot një djalë 28-vjeçar paguan me syrin e vet faturën e verbërisë sonë kolektive. Të paktën tani, le ta shohim të vërtetën ashtu siç është: të gjithë jemi qorrë dhe shurdhë përpara një të lajthituri që kërkon të qëndrojë në kolltuk me çdo çmim.

Megjithatë, dua të besoj se ka ende një pakicë socialiste me integritet, që ka virtytin e mospajtimit me një të lajthitur dhe që do t’i rritë fëmijët këtu. Nëse nuk do të largohet nga kjo botë si shërbëtor frymor pa vlerë, duhet të jetë në krah të studentëve, që janë shpresa e fundit për vendin. Le të bëjmë aleancë me mijëra sy studentësh dhe ta mundim Aleancën e Qelbësirave që qorruan të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Bindja ndaj banditit nuk është unitet, dhe heshtja ndaj bandës së pushtetit është papërgjegjshmëri. Demokracia nuk është ndërtuar për të funksionuar si lepe-peqe ndaj një hajvani.

Zegjine dhe Sara, nuk mund t’ua nxirrni sytë shumicës së studentëve që shoku i Ergys Agasit të rrijë në pushtet. Unë kam më shumë besim te Sara Mile dhe Zegjine Çaushi se do të jenë të parat që do t’i thonë: Mjaft, o mbret! Zegjine, dil e thuaji shefit tënd: Mjaft, se ke bërë 3 mijë e 700 mijë e pesëqind shkelje, abuzime, shpërdorime dhe krime!Nuk ka pakëtë kundër “dhunës” Urbane që e shpëton nga fundi mbretin tuaj!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.