Të shtëna me armë zjarri pranë pallatit presidencial në Venezuelë
Të shtëna intensive me armë zjarri janë regjistruar në orët e para të mëngjesit në qendër të Karakasit, duke shkaktuar panik dhe masa të menjëhershme sigurie në zonën pranë pallatit presidencial Palacio Miraflores.
Sipas raportimeve, janë përdorur armë automatike dhe mitraloza kundërajrorë, ndërsa të shtënat janë përqendruar në perimetrin ku ndodhet pallati presidencial. Kjo zonë është kthyer në epiqendrën e tensioneve, vetëm një ditë pasi Delcy Rodríguez u betua si presidente në detyrë, pas kapjes së Nicolás Maduro-s në një operacion ajror amerikan.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë lëvizje të shumta të automjeteve ushtarake dhe mjeteve të blinduara, si dhe trupa të armatosura që përparojnë në formacione luftarake në rrugët kryesore të kryeqytetit. Në disa video shfaqen edhe grupe motoçiklistësh të armatosur me pushkë, të cilët dyshohet se i përkasin njësive paraushtarake nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Raportohet gjithashtu se disa ndërtesa banimi janë goditur nga plumbat, duke shkaktuar dëme në dritare.
Të shtënat kanë nisur rreth orës 01:30 të mëngjesit sipas orës italiane dhe kanë vijuar me intensitet të lartë për mbi 30 minuta. Pas kësaj periudhe, autoritetet kanë deklaruar për një televizion lokal se “situata është vënë nën kontroll”.
Sipas informacioneve paraprake, incidenti mund të jetë shkaktuar nga prania e dy dronëve që janë vënë re duke fluturuar mbi pallatin presidencial. Ky zhvillim ka ngritur alarmin për një ndërhyrje të mundshme të re amerikane, duke detyruar forcat e sigurisë të reagojnë dhe të aktivizojnë sistemet kundërajrore për mbrojtjen e institucioneve shtetërore.
Pas ngjarjes, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e disa ndërtesave qeveritare në qendër të Karakasit. Mediat rajonale raportojnë se ministritë dhe institucionet shtetërore në zonën e përleshjeve janë mbyllur, ndërsa bizneset dhe lagjet përreth janë izoluar për arsye sigurie, duke lënë qytetarë dhe klientë të bllokuar brenda ambienteve.
Deri në këto momente, autoritetet venezueliane nuk kanë dhënë një sqarim të detajuar mbi shkaqet e sakta të të shtënave, ndërsa situata në kryeqytet vijon të mbetet e tensionuar dhe nën masa të rrepta sigurie.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



