E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tenderi 1.6 milionë euro për Tragjasin, mes konfliktit për ujin:
Denoncime

Tenderi 1.6 milionë euro për Tragjasin, mes konfliktit për ujin:

Banorët ngrenë dyshime për strategjinë e qeverisë

Qeveria duket se po ndjek një strategji të re në përplasjen shumëvjeçare me banorët e Tragjasit, të cilët prej më shumë se një viti e gjysmë kundërshtojnë projektin për marrjen e ujit nga burimi i Izvorit dhe dërgimin e tij drejt zonave turistike të Palasës, Drimadhes dhe Dhërmiut.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka hapur një tender me fond limit 159.6 milionë lekë, ose rreth 1.6 milionë euro, për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit dhe rehabilitimin e kanalizimeve në vetë fshatin Tragjas.

Sipas dokumenteve të prokurimit publik, objekti i kontratës është “Ndërtim rrjeti shpërndarës ujësjellësi për fshatin Tragjas dhe rehabilitim e vënie në funksion të rrjetit të kanalizimeve”, ndërsa autoritet kontraktues është Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë Sh.A. Fondi limit i projektit arrin në 159,605,649 lekë.

Tenderi hapet në një kohë kur konflikti për burimet ujore mbetet i pazgjidhur. Banorët e Tragjasit kanë kundërshtuar vazhdimisht projektin që parashikon devijimin e ujit të burimit të Izvorit drejt bregdetit, duke argumentuar se ai është jetik për vaditjen e tokave bujqësore dhe mbështet ekonominë e dhjetëra familjeve.

Gjatë muajve të fundit nuk kanë munguar përplasjet mes banorëve, policisë dhe kompanisë që zbaton projektin kryesor të ujësjellësit, ndërsa rezistenca e komunitetit ka mbetur e pandryshuar.

Në këtë sfond, investimi i ri prej 1.6 milionë eurosh po interpretohet në mënyra të ndryshme. Qeveria e paraqet atë si një investim për përmirësimin e infrastrukturës së fshatit, ndërsa banorët dhe kundërshtarët e projektit e shohin si një përpjekje për të zbutur tensionet dhe për të vijuar pa pengesa projektin strategjik të furnizimit me ujë të zonave turistike në bregdet.

Kritikët ngrenë edhe një tjetër pikëpyetje: ndërsa burimet ujore të Tragjasit përdoren për furnizimin e zonave me investime turistike, financimi i rrjetit të ri të ujësjellësit për fshatin realizohet me fondet e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë, pra me të ardhura që burojnë edhe nga tarifat e paguara nga qytetarët e Vlorës. Sipas tyre, kjo krijon perceptimin se qytetarët po financojnë infrastrukturën e nevojshme pasi uji i zonës po orientohet drejt komplekseve turistike në bregdet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.