Tensione para EULEX-it, qytetarët protestojnë pas vendimit të Hagës
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në Prishtinë pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa protesta është shoqëruar edhe me përplasje me policinë.
Protesta ka nisur para selisë së EULEX-it në kryeqytetin e Kosovës, ku një numër i madh qytetarësh janë mbledhur duke valëvitur flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Situata është tensionuar gjatë tubimit, teksa disa protestues kanë hedhur shishe dhe gurë në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Efektivët kanë vendosur një perimetër sigurie përpara godinës së EULEX-it, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të rendit.
Protesta zhvillohet pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Në total, katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë dënuar me 81 vite burgim. Hashim Thaçi është dënuar me 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite, Rexhep Selimi me 15 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 23 vite burg.
Procesi gjyqësor lidhet me një sërë akuzash për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Në aktakuzë përfshihen akuza për përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar dhe trajtim mizor.
Krahas tubimit përpara EULEX-it, protesta janë zhvilluar edhe në qendër të Prishtinës. Qytetarë dhe mbështetës të UÇK-së kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit, duke shprehur kundërshtimin ndaj aktgjykimit të shpallur në Hagë.
Ndërkohë, situata vijon të monitorohet nga forcat e Policisë së Kosovës, ndërsa pritet pjesëmarrje edhe më e madhe në protestë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



