Tensione te Ministria e Arsimit, studentët hedhin vezë e kapsolla
Protesta e studentëve dhe të rinjve përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë është shoqëruar me tensione, ku protestuesit kanë hedhur vezë, letra higjienike, shishe uji dhe kapsolla në drejtim të godinës së institucionit.
Gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë shkruar me sprej në muret e ministrisë, duke lënë në fasadën e saj mbishkrimin “Ministri e Krimit”. Përmes këtij mesazhi, të rinjtë kanë shprehur pakënaqësinë dhe kundërshtimin e tyre ndaj institucionit.
Protestuesit kanë shoqëruar veprimet e tyre me thirrje kundër qeverisë dhe me kërkesa për largimin e saj nga pushteti. Ndër sloganet e dëgjuara gjatë tubimit kanë qenë “Dorëheqje!”, “Poshtë qeveria!” dhe “Forca, rinia!”.
Studentët kërkojnë ndryshim, shtohen forcat e policisë
Thirrja për protestë ishte bërë publike nga organizatorët përmes një mesazhi që synonte të mobilizonte studentët nga i gjithë vendi.
“Protestojmë për çdo gjë që nuk funksionon dhe për çdo gjë që duam të jetë ndryshe”, thuhej në mesazhin e publikuar prej tyre.
Tubimi është organizuar në nivel kombëtar, me pjesëmarrjen e të rinjve nga Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Në fokus të pakënaqësive të tyre janë problematikat që, sipas organizatorëve, vijojnë të mbeten të pazgjidhura, si dhe kërkesa për reagim nga institucionet përgjegjëse.
Ndërkohë, në pjesën e pasme të godinës së Ministrisë së Arsimit janë vendosur forca të shtuara policie, si dhe një autobot me ujë, në kuadër të masave të marra gjatë protestës.
Protesta shënon një tjetër përballje të të rinjve me institucionet, ndërsa pakënaqësia e shprehur përmes sloganeve dhe veprimeve para ministrisë e ka shoqëruar tubimin me tensione.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



