Tentoi të vrasë Guccin e TikTok-ut, arrestohet në Berat 35-vjeçari
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit kanë arrestuar mbrëmjen e kaluar në Berat 35-vjeçarin Bledar Çuni, i cili ishte shpallur në kërkim për “vrasje të mbetur në tentativë” ndaj Fabion Kuçit, i njohur në rrjetet sociale me nofkën “Guçi”.
Çuni dyshohet se është një prej personave të përfshirë në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2025 në Durrës, ku Fabion Kuçi u dhunua dhe u plagos me armë zjarri. Për të njëjtën ngjarje dyshohet se janë përfshirë edhe Fabjan Brahja dhe një person me inicialet L.B.
Arrestimi i 35-vjeçarit u realizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga strukturat e Policisë Kriminale të Durrësit dhe Beratit. Sipas të dhënave të mbledhura nga uniformat blu, Çuni ndodhej në një lokal në Berat, ku kishte marrë pjesë në një festë familjare me rastin e përcaktimit të gjinisë së fëmijës së tij.
Pas përfundimit të aktivitetit familjar, policia dhe efektivët e FNSH-së të ardhur nga Fieri ndërhynë dhe bënë të mundur arrestimin e 35-vjeçarit.
Çuni nuk ka bërë rezistencë gjatë ndërhyrjes së policisë. Ndërkohë, gjatë kontrolleve të ushtruara në automjetin e tij, si edhe në automjetet e disa personave të tjerë të pranishëm, nuk janë konstatuar armë apo sende të tjera të paligjshme.
Pas arrestimit, 35-vjeçari pritet të shoqërohet në Durrës, ku do të vijojë përballja me procedurat gjyqësore për rivlerësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”.
Në kuadër të të njëjtit hetim, një tjetër person i dyshuar si bashkëpunëtor, Fabjan Brahja, ishte arrestuar më herët nga Policia e Durrësit. Brahja u prangos në muajin maj në banesën e tij në Kamëz.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes së dhjetorit 2025 dhe rolin që dyshohet se ka pasur secili prej personave të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



