Shpërthim me lëndë plasëse në një lokal në Durrës
Një shpërthim i dyshuar me lëndë plasëse ka tronditur orët e para të mëngjesit në zonën e Sektor Fllakë, në Durrës. Ngjarja ka shkaktuar dëme materiale, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorit ose autorëve.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 05:00, në hyrjen e një lokali që përdoret nga shtetasit me inicialet R. B. dhe E. B.
Nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet e shkaktuara janë vetëm materiale.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë shkuar shërbimet e Policisë së Durrësit së bashku me grupin hetimor. Ekspertët po punojnë për të përcaktuar llojin dhe rrethanat e shpërthimit, ndërsa vijojnë verifikimet për të zbardhur motivin e ngjarjes.
Në kuadër të hetimeve po mblidhen prova dhe të dhëna që mund të ndihmojnë në identifikimin e personit ose personave përgjegjës për vendosjen e lëndës plasëse.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



