Tentoi t’i ikte policisë, ndërron jetë vëllai i zv.ministres së Mjedisit
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në qytetin e Lushnjës, ku një aksident rrugor ka përfunduar me humbjen e jetës së një 43-vjeçari.
Viktima është identifikuar si Ernis Xhumari, banues në zonën e Karbunarës. Sipas informacioneve paraprake, pak çaste përpara aksidentit, ai është shfaqur pranë ambienteve të Komisariatit të Policisë së Lushnjës, ku ka kryer manovra të rrezikshme me automjetin dhe ka shfaqur sjellje të papërshtatshme.
Burime nga policia bëjnë me dije se, pas konstatimit të situatës përmes kamerave të sigurisë, është njoftuar menjëherë patrulla e shërbimit për të ndërhyrë dhe për të verifikuar drejtuesin e mjetit.
Në momentin që ka vënë re praninë e forcave të policisë, 43-vjeçari është larguar me shpejtësi të lartë në drejtim të Karbunarës. Gjatë tentativës për t’u shmangur, ai ka humbur kontrollin e automjetit në zonën e njohur si “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, ku mjeti është përplasur me bordurat anësore dhe më pas është përmbysur.
Si pasojë e përplasjes së fortë, automjeti është përfshirë nga flakët. Edhe pse është ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën e parë, 43-vjeçari nuk ka arritur të mbijetojë.
Nga të dhënat paraprake rezulton se viktimës i ishte hequr leja e drejtimit rreth dy muaj më parë, pasi ishte konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Për këtë shkelje ai ishte proceduar sipas ligjit.
Mësohet gjithashtu se viktima është vëllai i zv.ministres së Mjedisit, Elda Xhumari.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident fatal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



