Tentoi vetëvrasjen me armë, 17-vjeçarja në Vlorë në gjendje kritike
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës mesditën e sotme, ku një vajzë 17-vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës duke qëlluar veten me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kushtrimi”, në banesën e gjyshërve të saj, ku e mitura ndodhej për vizitë. Sipas burimeve, ajo është vetëplagosur me një armë tip pistoletë në kokë. Familjarët e kanë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ajo ndodhet në gjendje shumë të rëndë.
Sipas mjekëve, e reja ka dy dëmtime në kokë – një pranë syrit, afër temthit, dhe një tjetër në pjesën e sipërme të kafkës, ku mendohet se plumbi ka dalë. Aktualisht, ajo është e intubuar dhe në koma. Burime nga spitali bëjnë me dije se jeta e saj është ende në rrezik, por fakti që nuk ka pasur hemorragji të brendshme ka ndihmuar në mbajtjen e saj gjallë deri tani.
Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike. Familjarët janë marrë në pyetje, ndërsa pista kryesore mbi të cilën po hetohet është ajo e vetëvrasjes.
Ndërkohë, pritet që vajza të transportohet drejt një spitali të specializuar në Tiranë për trajtim të mëtejshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



