E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Territorialja’, tërbon kryebashkiakun e Memaliajt: Dilni në protestë!
Lajme

‘Territorialja’, tërbon kryebashkiakun e Memaliajt: Dilni në protestë!

Propozimi i Partisë Socialiste për riorganizimin territorial, që parashikon edhe shkrirjen e Bashkisë Memaliaj, ka shkaktuar reagime të forta në nivel lokal. Kryebashkiaku Albert Malaj ka dalë publikisht kundër këtij drafti, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mobilizohen dhe të marrin pjesë në një protestë kundërshtuese.

Në një reagim publik, ai thekson se shqetësimet dhe argumentet e paraqitura gjatë dëgjesave në Gjirokastër dhe në Kuvend nuk janë reflektuar në vendimmarrje. Sipas Malajt, procesi ka vuajtur nga mungesa e transparencës dhe konsultimit real me komunitetin, pavarësisht peshës që kjo bashki ka në qark, si për nga popullsia ashtu edhe për shtrirja territoriale.

Kreu i bashkisë paralajmëron se një vendim i tillë rrezikon të dëmtojë identitetin lokal, trashëgiminë kulturore dhe ritmin e zhvillimit ekonomik. Ai shton se shkrirja e Memaliajt mund të përshpejtojë fenomenin e shpopullimit dhe bie ndesh me parimet e vetëqeverisjes vendore, në një moment kur vendi synon integrimin në Bashkimin Evropian.

Malaj vë në dukje se vitet e fundit bashkia ka njohur përmirësime të dukshme, duke përfshirë rritjen e të ardhurave, investime në infrastrukturë dhe zgjerimin e aktiviteteve kulturore e sociale. Sipas tij, në vend që të mbështetet ky progres, propozohet një vendim që rrezikon të zhbëjë arritjet.

Ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi prioritetet e përdorimit të taksave publike, duke kërkuar më shumë fokus tek zhvillimi i komuniteteve dhe shërbimet bazë për qytetarët.

Në këtë kontekst, kryebashkiaku u ka bërë thirrje banorëve të qytetit dhe të 53 fshatrave që i përkasin bashkisë të bashkohen në protestën e paralajmëruar, e cila do të zhvillohet këtë të premte në orën 19:00, pranë Urës së Vjetër në hyrje të Memaliajt.

Sipas tij, reagimi qytetar është i domosdoshëm për të mbrojtur të ardhmen dhe identitetin e zonës, në një moment që ai e cilëson vendimtar për fatin e komunitetit.

Reagimi i plotë:

Të dashur banorë të Bashkisë Memaliajt,

Në respekt të qindra mesazheve që më keni dërguar, ku me të drejtë kërkoni të protestoni për padrejtësinë që po i bëhet qytetit të Memaliajt dhe 53 fshatrave të tij mbi fshirjen e bashkisë në kuadër të hartës së re territoriale të propozuar, dua t’ju drejtohem me këtë mesazh;

SI Kryetar i Bashkisë Memaliaj, ndonëse kam marrë pjesë në dëgjesën e zhvilluar në Gjirokastër dhe në seancën dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë ku e kam kundërshtuar me forcën e argumentit propozimin që Bashkia Memaliaj të shkrihet, argumentat nuk janë marrë për bazë. Edhe pse Bashkia Memaliaj është bashkia e dytë në qarkun e Gjirokastrës, si për numrin e banorëve, ashtu edhe për sipërfaqen e tij mungon transparenca dhe mungon dëgjesa publike me komunitetin e Bashkisë Memaliaj për të dëgjuar zërin real të tyre.

Kam paraqitur të gjitha argumentet që tregojnë se një vendim i tillë sjell humbje të identitetit, traditave dhe kulturës sonë, ngadalëson ritmin e zhvillimit ekonomik, nxit më tej shpopullimin dhe bie ndesh me frymën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, në një kohë kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në një kohë kur kjo bashki po merrte gjallëri përmes aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive, po përmirësonte infrastrukturën rrugore falë fondeve të bashkisë e mirëmenaxhimit të taksave vendore, po u përgjigjej problemeve të qytetarëve nga qendra e qytetit deri në fshatin më të largët;

Në një kohë kur, vit pas viti, po rriste performancën, të ardhurat dhe po shfrytëzonte më mirë potencialet e saj;

Në një kohë kur Bashkia Memaliaj po arrinte të mirëmenaxhonte çdo qindarkë, dhe në një kohë kur qeveria duhej të investonte në infrastrukturën rrugore, ujore, energjetike dhe arsimore për ta zhvilluar më tej këtë bashki, i dha shuplakën më të hidhur duke propozuar shkrirjen e tij.

Komisionit që e sheh Bashkinë e Memaliajt si barrë buxhetore dua t’i bëj një pyetje: për çfarë janë taksat e shqiptarëve? A janë për AKSHI-n, për tunelet që kushtojnë dhjetëra miliona euro më shumë se parashikimet, për koncerte luksi apo për pagesa charter? Apo janë për të garantuar zhvillimin dhe shërbimet për qytetarët? Me këtë vendim, keni tejkaluar çdo kufi në raport me banorët e Memaliajt.

Ndaj sot, banorëve të qytetit dhe të 53 fshatrave u them se jam plotësisht dakord me kërkesën tuaj për të protestuar. Jam dakord që sot, në orën 19:00, të mblidhemi te Ura e Vjetër, në hyrje të qytetit, për të mbrojtur të drejtën tonë dhe të ardhmen e Memaliajt.

Sot, më shumë se kurrë, në mbrojtje të Memaliajt.

Sepse ka vendime që nuk ndërtojnë të ardhmen e një komuniteti; thjesht fshijnë nga harta atë që nuk kanë ditur ta zhvillojnë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.