Thyhet dera e Bashkisë Tiranë, disa të rinj futen brenda
Protesta e zhvilluar këtë të martë në Tiranë ka marrë përmasa të tjera, teksa përplasjet mes protestuesve dhe policisë janë zhvendosur edhe përpara Bashkisë së kryeqytetit. Një grup të rinjsh me fytyra të mbuluara ka arritur të hapë derën e institucionit dhe të futet në hollin e godinës.
Pas këtij veprimi, forcat e policisë kanë ndërhyrë me gaz lotsjellës për të larguar të rinjtë nga ambientet e Bashkisë. Situata është shoqëruar me hedhje sendesh të forta dhe dëmtime të pronës, ndërsa janë thyer xhama të godinës së Bashkisë së Tiranës dhe të disa ministrive në zonën përreth.
Ndërhyrja policore ka bërë që grupi që hyri në holl të shpërndahej, por tensionet nuk janë shuar menjëherë. Përplasjet kanë vijuar edhe jashtë institucionit, në një tjetër episod të një proteste që prej orëve të mesditës është shoqëruar me momente të forta tensioni.
Nga Ministria e Arsimit te Bashkia e Tiranës
Protesta nisi rreth orës 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ku gjatë orëve në vijim u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Më pas, lëvizja u shtri drejt Rrugës së Durrësit dhe zonës së rrugës “Mine Peza”, ku pati ndërhyrje policore dhe incidente të tjera.
Përdorimi i ujit me presion dhe gazit lotsjellës nuk e ka shpërndarë përfundimisht turmën. Protestuesit janë rigrupuar disa herë, duke qëndruar në rrugë për orë të tëra dhe duke e zhvendosur tubimin në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Hyrja e një grupi të rinjsh në hollin e Bashkisë dhe dëmtimi i xhamave shënojnë një tjetër përshkallëzim të situatës, pas incidenteve të regjistruara më herët gjatë ditës.
Thirrje kundër Ramës dhe Berishës
Përveç përplasjeve me policinë, protesta është shoqëruar edhe me slogane politike. Mes thirrjeve të dëgjuara gjatë tubimit kanë qenë ato për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe brohoritjet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Këto mesazhe tregojnë se pakënaqësia e shprehur në rrugë nuk është kufizuar vetëm te kundërshtimi i qeverisë, por ka përfshirë edhe kritika ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare.
Pas 135 ditësh tubimesh kryesisht paqësore përpara Kryeministrisë, protesta e sotme është shoqëruar me përplasje të drejtpërdrejta, dëmtime të pronës dhe përpjekje për të hyrë në ambiente institucionale.
Zhvillimet e mbrëmjes e kanë bërë situatën më të ndërlikuar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse tensionet do të vijojnë edhe në orët në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



