Tifozët në “qiellin e 7-të”, Leo Messi shfaqet në “Camp Nou”
Lionel Messi ka emocionuar miliona tifozë në mbarë botën dhe sidomos ata të Barcelonës, pas një postimi nostalgjik në rrjetet sociale që ka rikthyer menjëherë kujtimet e lavdisë “blaugrana”.
Ylli argjentinas ka shpërndarë disa foto nga stadiumi i ri “Camp Nou”, i cili është ende në rikonstruksion, por duket se për Mesin ka mbetur po aq magjik sa dikur.
“Mbrëmë u ktheva në një vend që më mungon me gjithë zemër. Një vend ku isha jashtëzakonisht i lumtur, ku ju të gjithë më bëtë të ndihem si personi më i lumtur në botë një mijë herë më shumë.
Shpresoj të mund të kthehem një ditë, dhe jo vetëm për të thënë lamtumirë si lojtar, gjë që nuk e bëra kurrë…💙❤️”, shkruan Messi.
Fjalët e tij kanë ndezur rrjetin dhe kanë ringjallur shpresat për një rikthim të mundshëm në “shtëpinë” e tij të parë futbollistike.
Pak ditë më parë, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, hodhi benzinë mbi zjarrin e nostalgjisë, duke thënë se e imagjinon Messin sërish në “Camp Nou”:
“E imagjinoj me 105 mijë tifozë në stadium dhe Messin duke hyrë në fushë si futbollist. Do të ishte mënyra më e bukur për të inauguruar stadiumin e ri. Varet nga ai, por nëse unë jam president, do të doja shumë ta organizoja një ndeshje përkujtimore për të.”
Duket se ëndrra e rikthimit të Messit në “Camp Nou” po merr gjithnjë e më shumë formë, këtë herë, ndoshta për një mbyllje epike të karrierës së njeriut që i dha Barcelonës gjithçka.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



