Tirana mes kaosit, 20 të shoqëruar nga revolta e studentëve
Protesta studentore në Tiranë është përshkallëzuar gjatë ditës së sotme, duke u shoqëruar me incidente pranë Ministrisë së Arsimit, ku raportohet për flakë në godinë, si dhe me dëmtime të disa bizneseve. Në kuadër të zhvillimeve, 20 persona janë shoqëruar, sipas raportimeve.
Në ditën e dytë të protestës, studentë nga Universiteti i Mjekësisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti Politeknik dhe Fakulteti i Drejtësisë janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit. Gjatë tubimit janë hedhur mjete piroteknike në drejtim të godinës, ndërsa policia është pozicionuar përpara institucionit.
Situata është tensionuar edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Disa protestues kanë thyer derën kryesore dhe kanë hyrë në ambientet e brendshme të fakultetit.
Gjimnazistët i bashkohen protestës, bojkotohet mësimi në dy qytete
Gjimnazistët i bashkohen protestës
Protestës në kryeqytet i janë bashkuar edhe gjimnazistët e shkollës “Partizani”. Ata kanë dalë në krah të studentëve dhe të rinjve.
Ndërkohë, reagimi është shtrirë edhe jashtë Tiranës. Në universitetet e Elbasanit dhe Shkodrës ka nisur bojkoti i mësimit në shenjë solidariteti me protestuesit e kryeqytetit.
Në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, sipas informacioneve të raportuara, procesi mësimor vijon normalisht.
Zhvillimet e fundit e kanë bërë më të tensionuar protestën studentore, ndërsa incidentet pranë Ministrisë së Arsimit dhe shoqërimi i 20 personave shënojnë një përshkallëzim të situatës në kryeqytet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



