Tiranë/40-vjeçari i kërkuar nga Italia si pjesë e një organizate kriminale

Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe për trafikim të lëndëve narkotike, u arrestua mesditën e sotme në Tiranë. I arrestuari ështër Ergest Prifti.

Ai u arrestua nga Policia Rrugore e Tiranës, ndërsa gjatë kontrollit në automjet, iu gjet dhe iu sekuestrua një shkop metalik.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, gjatë kontrolleve parandaluese me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe kapjen e personave në kërkim që qarkullojnë me automjete, bazuar në inteligjencën policore për një shtetas të kërkuar nga Italia i cili lëvizte me automjet  në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë bërë të mundur lokalizmin dhe ndalimin  e automjetit tip “Nissan”.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se drejtuesi i automjetit,  shtetasi E. P., 40 vjeç, rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas  për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Në vijim të veprimeve Specialistët për Hetimin e  Krimeve në Komisariatin e Policisë nr dy, bënë arrestimin provizor me qëllim ekstradimi të 40 vjeçarit E.P.

Interpol Tirana  vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali”, njoftoi Policia.

Publikuar nga Publik Media