Tragjike në Fushë-Krujë, 16-vjeçari vdes në ashensorin e restorantit
Në pranga pronari dhe kamerieri
Një ngjarje tragjike është regjistruar në fshatin Arrameras, në Fushë-Krujë, ku një 16-vjeçar, i punësuar si kamerier në një restorant, ka humbur jetën pas një aksidenti me ashensorin e lokalit.
Në lidhje me ngjarjen, e ndodhur më 11 tetor 2026, policia ka arrestuar dy persona: një kamerier 26-vjeçar dhe pronarin 62-vjeçar të restorantit.
Sipas hetimeve paraprake, 26-vjeçari me inicialet E. S., i cili punonte në të njëjtin restorant, dyshohet se e ka shtyrë me duar 16-vjeçarin brenda ashensorit. Pas shkëputjes së ashensorit, i mituri ka humbur jetën.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë kanë arrestuar në flagrancë 26-vjeçarin, i cili dyshohet për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.
Në pranga ka përfunduar edhe pronari i restorantit, 62-vjeçari me inicialet A. V. Ai dyshohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e restorantit në pronësi të 62-vjeçarit, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



