E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Trajtimi i arrestit me burg nuk mjafton!
Lajme

Trajtimi i arrestit me burg nuk mjafton!

Një debat i ri mbi funksionimin e drejtësisë penale në vend është rindezur pas një reagimi publik të ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili ka ngritur shqetësime të forta për balancën e procesit gjyqësor dhe standardet e gjykimit në Shqipëri.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ai thekson se problematika e sistemit penal nuk lidhet vetëm me masën e arrestit me burg, por me të gjithë zinxhirin e procedurës penale, që nga nisja e hetimeve deri te vendimet përfundimtare të gjykatave. Sipas tij, procesi shpesh zhvillohet në një terren të mbushur me “kurthe” procedurale që, edhe kur përfundon me pafajësi, lë pasoja të rënda për individët e përfshirë.

Reagimi i tij vjen në një moment kur kritika për ndryshimet në Kodin Penal janë shprehur publikisht edhe nga gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Florian Kalaja, i cili ka ngritur pikëpyetje mbi balancën mes prokurorisë dhe mbrojtjes në proceset penale.

Sipas Manjanit, një nga problemet më të mëdha mbetet mungesa e një gjykate plotësisht të paanshme, ku palët të kenë mundësi të barabarta. Ai argumenton se shkalla e lartë e pranimit të kërkesave të prokurorisë nga gjykatat, veçanërisht në GJKKO, krijon perceptimin e një procesi të njëanshëm. Sipas tij, kur njëra palë fiton pothuajse gjithmonë, koncepti i gjykimit të drejtë vihet në dyshim.

Në analizën e tij, ai rendit dy arsye kryesore për këtë situatë: trashëgiminë e mendësisë së sistemit të kaluar dhe presionin institucional mbi gjyqtarët, që sipas tij krijon një klimë ku prokuroria ka epërsi të dukshme. Në këtë realitet, ai shprehet se standardet e provës dhe të provueshmërisë janë dobësuar, ndërsa liritë dhe të drejtat kushtetuese shpesh mbeten dytësore në proceset penale.

Sipas tij, presioni publik dhe mediatik ndaj gjykatave përforcon një klimë “gjyqi popullor”, që ndikon në vendimmarrje dhe e zhvendos fokusin nga drejtësia te perceptimi publik. Ai paralajmëron se një situatë e tillë kërkon reflektim të thellë dhe reformim të plotë të sistemit.

Në përfundim, Manjani thekson se ndryshimet e pjesshme nuk janë të mjaftueshme dhe se një reformë e gjerë është e domosdoshme për të rikthyer barazinë para ligjit dhe besimin te drejtësia. Ai shton se vendi nuk duhet të presë sinjale nga institucione ndërkombëtare si Këshilli i Europës për të adresuar problemet, por të reflektojë dhe të veprojë në mënyrë të pavarur.

“Nuk është vetëm arresti me burg problemi i drejtësisë penale të sotme.

Sigurisht ndihem mirë që më në fund sot ka edhe të tjerë e madje edhe zyrtarë që e pranojnë këtë problem, të cilin kam të paktën 10 vite që e them zyrtarisht dhe në publik.

Por sot gropat e minuara në atë që quhet proçes i rregullt janë të shumta.

Nga regjistrimi i proçedimit penal me anonimatë, kallëzues politikë e popullorë dhe, deri në vendimin përfundimtar të tij ka shumë pak shance që të mos shkelësh në minë.

Në fund të proçesit, edhe sikur larg mendsh të dalësh pa faj, prap del i gjymtuar rëndë.

E gjitha kjo vjen më së shumti për shkak të mungesës së gjykatës së paanëshme. Dmth të gjykatës mbi palët në sallën e gjyqit.

Të gjykatës ku prokurori dhe i pandehuri kanë të njëjtat mjete dhe mundësi. Asnjëri të mos jetë më i preferuar se tjetri.

Shikoni, sot pranueshmëria e kërkesave të prokurorisë është afërsisht 80%. GJKKO e ka mbi 90%…. Në perëndimin që na pëlqen ti referohemi, kur kjo shifër e kalon 40%-shin, krijohet shqetësim.

Ky nivel i lartë pranueshmërie i kërkesave të njërës palë, pra prokurorisë, e rrëzon edhe përkufizimim e termit gjykim. Nuk ka gjykim kur gjithmonë njëra palë ka të drejtë.

Kur nuk ka gjykim, gjykata ska asnjë kuptim më.

Pse vjen kjo?

Qartësisht për dy arësye themelore:

1. Shteti komunist dhe mendësia e tij jeton ende në memorien tonë kolektive. Në atë shtet, njiheshin vetëm prokurorët. Gjykatësit megjithse zgjidheshin, nuk i njihte askush, sepse ata vendosnin çfarë thoshte prokurori. Nëse dikush vendos të kthehet në atë kohë, pranueshmëria dhe pëlqyeshmëria publike mbetet e lartë.

2. Me ligj, me praktikë po e po, prokurorët shantazhojnë gjykatësit, në emër të mbrotjes nga korrupsioni. Ky realitet ligkor e praktik i ka lopësuar gjykatësit të cilët as lodhen fare të dëgjojnë anën tjetër.

Me këto gjykata e në këtë realitet, veçanërisht pas reformës, paraburgosen, gjykohen e dënohen njerëz me supozime e hamendësime.

Nocionet ligjore të provës e provueshmërisë janë në nivelin më të ulët që kemi patur ndonjëherë, krahasuar edhe me vetë sistemin komunist.

Ky i fundit, ka patur probleme me cilësinë e provës por jo me ekzistencën e saj në sallën e gjyqit të paktën.

Barazia para ligjit dhe e mjeteve në gjykim janë në disbalancë totale. Disbalancë në favor të “afërmendsh” prokurorisë.

Liritë dhe të drejtat themelore që parashikohen në Kushtetutë janë gjithnjë sekondare në gjykimin penal.

Janë pak ata që kanë “privilegjin” të gjykohen liritë e ture në gjykime kushtetuese. Akoma më pak janë ata që kanë “zotësinë” të fitojnë liritë apo të drejtën e dhunuar.

E kështu me radhë, gropa me mina pa fund ka proçesi që prodhon viktima të gjymtuara, të cilat u serviren gazetarëve “të privilegjuar” si burime lajmesh për drejtësinë popullore.

Gjyqi popullor është akti i fundit i presionit ndaj gjykatës, në gjithë zinxhirin e kontrollit të vendimmarrjes së gjykatës.
Kjo e fundit gjykon, jo në pak raste, për të drejtën tënde pa praninë tënde në një sallë gjyqi!!!
Ndaj them se tashmë zgjidhja e problemit të arrestit me burg tashmë nuk mjafton.

Duhet reformë e plotë!

Nuk kemi përse presim që këto të na i thotë Këshilli i Europës apo ndonjë Ambasadë. Kur të vijë puna ti thonë edhe ata, është shumë vonë….

Na duhen thjesht sytë në ballë e mend’të në kokë,” shkruan Ylli Manjani.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.