Tregu i pronave në pikën e ngopjes? Çmimet janë rritur 120% në 5 vite, por “boom”-i po humbet ritmin
Tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme, i cili prej vitesh ka njohur rritje të fortë, po jep sinjale të qarta ngadalësimi. Pas një periudhe ku çmimet janë rritur me ritme të jashtëzakonshme, veçanërisht pas pandemisë, tregu duket se po përballet me kufijtë e këtij ekspansioni.
Sipas të dhënave të bazuara në indeksin Fischer të Bankës së Shqipërisë, çmimet e banesave në rang vendi janë rritur me rreth 120% gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa në Tiranë rritja ka qenë rreth 90%.
Megjithatë, ritmi i rritjes po bie ndjeshëm. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, çmimi mesatar i banesave u rrit me 11.7% krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës dhe me 28% në terma vjetorë. Kjo shifër është dukshëm më e ulët se rritja vjetore prej 41.7% e regjistruar në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Situata duket edhe më e dukshme në kryeqytet. Indeksi i çmimeve të shitjeve në Tiranë nuk regjistroi ndryshim nga gjashtëmujori i mëparshëm, ndërsa në raport me një vit më parë u rrit vetëm me 4.4%. Një vit më parë, rritja vjetore ishte 32.6%.
Shifrat ngrenë pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e një tregu që për vite është ushqyer nga kërkesa e lartë, turizmi, kredia bankare dhe blerjet nga të huajt.
Rritja e ofertës së ndërtimeve të reja, si në Tiranë ashtu edhe në zonat bregdetare, po shton presionin mbi tregun. Me çmimet tashmë në nivele shumë më të larta, pritshmëritë për një përsëritje të ritmeve të jashtëzakonshme të rritjes bëhen gjithnjë e më të dobëta.
Një tjetër element që ka mbajtur gjallë tregun është kapitali i huaj. Pasuritë e paluajtshme kanë qenë për të katërtin vit radhazi sektori kryesor për investimet e huaja direkte në Shqipëri.
Vetëm gjatë vitit 2025, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme arritën në 561 milionë euro, me një rritje prej 48% krahasuar me vitin 2024. Kjo shumë përbën më shumë se 34% të totalit të investimeve të huaja direkte në vend.
Në fund të vitit 2025, stoku i investimeve të huaja në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme arriti në 2.63 miliardë euro, rreth 29% më shumë se një vit më parë.
Por shifrat e fundit të çmimeve tregojnë se epoka e rritjes së pakontrolluar mund të jetë duke u ngadalësuar. Pas një dyfishimi të çmimeve në vetëm pesë vite, tregu tashmë përballet me pyetjen nëse çmimet mund të vazhdojnë të rriten me të njëjtin ritëm, apo nëse Shqipëria po i afrohet një faze ku oferta, fuqia blerëse dhe kërkesa do të vendosin kufijtë e rinj të tregut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



