Turizmi në Shqipëri mes realitetit të hidhur dhe propagandës
Naim Noka
Faktet dhe treguesit e sezonit aktual
Pavarësisht nga përrallat që qarkullojnë në rrjetet sociale, një gjë është e sigurtë: turizmi këtë sezon në Shqipëri është në rënie. Nga Jugu deri në Durrës, numri i turistëve është dukshëm më i ulët krahasuar me vitet e kaluara. Faktet flasin vetë. Këtë e konfirmojnë pamjet e shezlongeve bosh në plazhet më të frekuentuara të vendit. “Maldivet e Europës” (Ksamili) që u bë fytyra turistike pozitive e Shqipërisë në media dhe rrjete sociale tre vitet e fundit, por tani po kthehet edhe destinacioni më i kritikuar.
Tullumbacja e promovimit po kthehet në bumerang për imazhin e përgjithshëm turistik, nëse nuk merren masa. Qeveria që duhej të kishte zgjidhur ngërçet me infrastrukturën, trafikun , po bën luftën imagjinare ndaj armiqve të jashtëm e të brendshëm që po investohen në dëmtimin e imazhit turistik. A thua se dritat në Himarë na i fikin agjentët grekë , në Orikum i fik ‘armiku’ Agim Xhafka që nuk ka javë që nuk ankohet për shkëputje të energjisë. Shto këtu që kastile trafikun dhe plehrat i shkaktojnë vetë kritikët e rrjeteve sociale.
Kritizerët e turizmi nuk i zgjërojnë rrugët , nuk kanë në dorë furnizimin me ujë dhe energji, as nuk na sigurojnë parking për autobusë, taksi, ushqim të mirë, shërbim dinjitoz, edukatë, mirësjellje…
Kam degjuar e lexuar marrëzira të tilla në media se agjensitë turistike ofrokan lekë për të nxirë imazhin e turizmit në vend. Legjenda urbane, dokrra dhe përralla. Unë kam udhëtuar brenda dy javëve të fundit, në “Maldive” të Ksamilit, Himarë, Dhërmi, Palasë, Orikum, Vlorë, Pishë Poro, Darëzezë, Spille, Plazhi i Gjeneralit, Golem, Durrës, Velipojë, Shëngjin, Gjiri i Lalëzit dhe e vërteta e hidhur është se ka më pak turistë. Po, për fat të keq ka më pak pushues.
A ka luajtur një rol propaganda dhe lojërat mediatike?
Vlerësimi për Ksamilin në TripAdvisor ka rënë në 2.5 nga 5 që është maksimumi dhe se vlerësimet e këtij viti janë kryesisht negative. Turistët janë të mahnitur me natyrën dhe detin, por jo me çmimet dhe dendësinë e shezloneve në bregdet. Lëvizja e lirë e vëllezërve nga Kosova mundet të jetë një faktor i më pak pushuesve. Turistët patriotë nga Kosova po provojnë ashtu si ne, destinacione si Greqia dhe vendet e tjera turistike.
Ndoshta në këtë situatë, propaganda për plazhet në jug të Shqipërisë ka luajtur një rol kur publikohen foto të shezlongeve bosh apo fatura të kripura, duke pretenduar se Shqipëria është braktisur nga turistët. Të gjithë duhet të promovojmë turizmin por kjo nuk na heq plehrat, nuk ul trafikun, nuk na siguron as cilësinë e ushqimeve, nuk na përmirëson shërbimet në restorante luksi. Duhet të heqim dorë nga taktikat që kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të vendit dhe largimin e turistëve që janë të gatshëm të paguajnë më shumë për pushimet e tyre. Çmimet nuk i rrit propaganda negative, trafikun dhe kushtet normale nuk i rregullon media dhe rrjetet sociale. As operatorët turistikë.
Interesat e agjensive të Huaja
A paguajnë agjensitë e huaja portalet për të sharë turizmin shqiptar? Gjoja duke nxjerrë në pah anët negative dhe duke e paraqitur vendin si të shtrenjtë dhe jo të pastër.
Kush gazetar që tregon përralla se i është ofruar para për të publikuar lajme negative për turizmin në jug, duke përfshirë sponsorizimin e artikujve mos të humbasë kohë. Le të shkojë në prokurori dhe të bëjë publike emrin e agjensisë. Unë do jem i pari që ta denocoj çdo ditë.
E vërteta në mes të propagandës dhe realitetit të hidhur

Ndonëse qeveria jonë e ka në gjak propagandën shpesh edhe rrjetet dhe media e ekzagjeron situatën. Është e vërtetë që ka abuzues të çmendur me çmimet, ka pisllëqe dhe hotele johigjienike. Megjithatë, të thuash që Greqia është më lirë se Shqipëria për pushime është një e pavërtetë. Në të dy vendet ka zona ku mund të pushosh lirë dhe zona të shtrenjta. Detyra jonë është të kritikojmë abuzimet, por kjo nuk do të thotë që duhet të përgjithësojmë gjithë Shqipërinë si vend të shtrenjtë dhe të pakëndshëm për turizëm. Po ka shërbim e çmime të pranueshme në zona të bregut të Jugut, e deri në Shëngjin. Ka shërbime shumë të mira dhe çmime konkuruese. Unë sot erdha te”Plazhi i Gjeneralit” dhe çmimi i një çadre është 3000( tremijë) lek të reja. Foto flet vetë. Ora11:00
Përfundimi
Ndërsa faktet tregojnë një rënie të numrit të turistëve këtë sezon, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos u ndikuar nga propaganda negative. Është e rëndësishme të mbrojmë imazhin e vendit tonë duke kritikuar dhe ndrequr gabimet e vërteta, por pa i përgjithësuar dhe ekzagjeruar ato. Shqipëria ka shumë për të ofruar dhe duhet të vazhdojmë të punojmë për ta bërë atë një destinacion të preferuar për turistët nga e gjithë bota.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



